Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka deklaruar sonte se do të kishte dëshiruar që Glauk Konjufca të merrte mandatin për të formuar qeverinë e re të Kosovës.
“Në këtë situatë, kisha pasur dëshirë që Glauku sot ta marrë mandatin e kryeministrit, por partitë opozitare kanë vendosur ndryshe. Besojmë se po shkojmë shumë shpejt drejt zgjedhjeve të parakohshme, në dhjetor apo në fillim të janarit. Vendimi i fundit do të jetë i presidentes, pas konsultimeve me partitë politike,” tha Lladrovci për Klan Kosova.
Ai shtoi se vendi duhet të përgatitet për zgjedhjet e parakohshme dhe theksoi se mungesa e qeverisë dhe e konstituimit të parlamentit po shkakton dëme të konsiderueshme, veçanërisht në këtë periudhë të ndërlikuar për Kosovën.
“Por, mungesa e qeverisë dhe e parlamentit është dëm i madh, sidomos në këtë situatë që po kalon Kosova,” u shpreh Lladrovci, duke nënvizuar rëndësinë e stabilitetit institucional.
