Saturday, April 18, 2026
HomeAktualitet & Siguri RrugoreTragjedi në Angli: 30-vjeçari shqiptar humb jetën pasi u shtyp nga kamioni...

Tragjedi në Angli: 30-vjeçari shqiptar humb jetën pasi u shtyp nga kamioni i plehrave ndërsa flinte për t’u mbrojtur nga i ftohti

Një ngjarje e rëndë dhe tronditëse ka prekur komunitetin shqiptar në Angli. Një 30-vjeçar shqiptar ka humbur jetën në mënyrë tragjike në Northampton, pasi u shtyp nga një kamion plehrash ndërsa ishte strehuar brenda një koshi industrial për t’u mbrojtur nga i ftohti i natës.

Viktima është identifikuar si Sajmir Beca, vetëm 30 vjeç, i cili u gjet i plagosur rëndë në orët e para të mëngjesit të 31 tetorit, në rrugën Wellington Street, në zemër të qytetit të Northamptonit.

Sipas raportimeve lokale, Sajmiri kishte hyrë në një kosh të madh industrial për të kaluar natën, teksa temperaturat ishin zhytur në -3°C. Në momentin që kamioni i menaxhimit të mbetjeve mbërriti për të marrë koshin, askush nuk e dinte se brenda tij ndodhej një njeri.

Banorët e zonës u zgjuan nga britmat që dëgjuan nga kamioni. Ambulanca dhe policia mbërritën menjëherë rreth orës 03:00, ndërsa Sajmiri u transportua me urgjencë në University Hospital Coventry.

Për fat të keq, pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, ai ndërroi jetë më 6 nëntor, pas plagëve të rënda që i ishin shkaktuar.

Shkaku i vdekjes – sipas mjekes ligjore

Mjekja ligjore Anne Pember konfirmoi se 30-vjeçari vdiq nga dështimi i shumë organeve, i shkaktuar nga dëmtime shtypëse tejet të rënda në legen dhe gjymtyrët e poshtme.

Trupi i tij është kthyer te familja dhe ceremonia e varrimit është kryer tashmë.

Miqtë e tij: “Sajmiri ishte njeri i mirë, punëtor dhe i ndershëm”

Një mike e ngushtë e viktimës, e intervistuar nga Northampton Chronicle & Echo, tregoi se Sajmiri nuk ishte person që flinte zakonisht jashtë. Ajo tha se atë natë ai thjesht nuk kishte mundur të gjente askënd ku të strehohej.

“Jemi thellësisht të pikëlluar. Duam që ai të kujtohet për atë që ishte – njeri i mirë, punëtor dhe i ndershëm. Jo për mënyrën se si humbi jetën,” tha ajo me lot në sy.

Ajo tregoi se bashkëshorti i saj nuk pushon së qari, i shkatërruar nga fakti që Sajmiri nuk e telefonoi atë natë:

“Do i thoja të vinte të flinte te ne. Ndoshta ai ndjeu turp, prandaj nuk kërkoi ndihmë.”

Reagimi i kompanisë Veolia

Kompania Veolia, e cila menaxhon koshat komercialë në qytet, shprehu keqardhje të thellë për ngjarjen tragjike.

“Ngushëllimet tona më të sinqerta për familjen e viktimës. Shoferi ynë reagoi menjëherë dhe do të marrë të gjithë mbështetjen tonë. Fatkeqësisht, gjatë dimrit rritet numri i të pastrehëve që strehohen në koshat e mbetjeve,” – deklaroi kompania.

Policia: Nuk ka rrethana të dyshimta

Policia e Northamptonshire njoftoi se incidenti nuk ka elemente kriminale, dhe çështja i është dorëzuar koronerit.

Ngjarja ka tronditur komunitetin lokal, teksa shumë njerëz kanë shprehur dhimbje dhe zemërim që një i ri shqiptar humbi jetën në mënyrë kaq tragjike – vetëm sepse kërkoi ngrohtësi në një natë të akullt.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments