Lidhja Demokratike e Kosovës ka prezantuar sot anëtaren e saj më të re, një figurë që prej vitesh është ndër zërat më të fuqishëm e më të dashur të skenës muzikore shqiptare. Bëhet fjalë për artisten e njohur Adelina Thaçi Meta, e cila me karrierën e saj mbi dy dekada ka ndikuar fuqishëm në kulturën dhe edukimin artistik në vend.
Adelina, e njohur si soprano profesionale, këngëtare e suksesshme në zhanrin pop dhe pedagoge me përvojë të gjatë në fushën e vokalit, sot ka hapur një kapitull të ri në angazhimin e saj publik. Ajo i është bashkuar LDK-së duke sjellë me vete profesionalizëm, integritet dhe një reputacion të ndërtuar përmes punës së palodhshme në skenë dhe në arsim.
Kontributi i saj në skenën kulturore është i gjithanshëm. Për më shumë se një dekadë ka qenë soliste e Filharmonisë së Kosovës, ndërsa prej 23 vitesh ka ushtruar profesionin e profesoreshës së solo-këndimit. Aktualisht, ajo ligjëron në lëndët Teknikë Vokale, Diksion dhe Repertor, duke formësuar breza të rinj me standarde profesionale dhe artistike.
Rrugëtimi i saj akademik përfshin studimet në Universitetin “Shën Kirili dhe Metodi” në Shkup dhe Fakultetin e Arteve në Prishtinë, institucione ku ajo ndërtoi themelet e një profili të lartë profesional që më pas do ta shfaqte me sukses në skenën vendore dhe ndërkombëtare.
Në arenën ndërkombëtare, Adelina ka spikatur me interpretimet e saj operistike, duke bashkëpunuar me dirigjentë të shquar dhe duke debutuar në role të rëndësishme. Një nga projektet më të përfolura të karrierës së saj është dueti “Dolce Suono”, i realizuar me tenorin me famë botërore José Carreras – një bashkëpunim që e vendosi artisten në hartën e skenave evropiane e ndërkontinentale. Ajo ka përfaqësuar Kosovën në festivale në Kroaci, Itali, Gjermani e deri në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Në muzikën pop, Adelina është po ashtu një emër i konsoliduar me tri albume, dhjetëra këngë dhe projekte të suksesshme, si edhe fituese e shumë çmimeve të para në festivale prestigjioze në Kosovë dhe Shqipëri. Në anën pedagogjike, ajo ka lënë gjurmë edhe përmes ansamblit vokal “Zanat”, një projekt në të cilin talenti dhe përkushtimi i saj kanë ndihmuar në ngritjen e artistëve të rinj.
Sot, me rikthimin e saj në një tjetër dimension të jetës publike, ajo hyn në politikë përmes LDK-së. Sipas partisë, angazhimi i Adelinës shihet si një vlerë e shtuar për vizionin e saj kulturor, qytetar dhe zhvillimor. Në komunikatën zyrtare theksohet se LDK po hap dyert e saj për profesionistë dhe figura që duan të kontribuojnë në modernizimin e vendit, ndërsa ardhja e Adelinës është cilësuar si një sinjal i rëndësishëm i hapjes dhe afrimit të njerëzve të kulturës.
“LDK fiton sot një kuadër të çmuar, një artiste që beson në vlerat tona dhe në misionin për një Kosovë me më shumë kulturë dhe zhvillim”, thuhet në njoftim.
Adelina është e martuar me Bardhylin dhe është nënë e dy vajzave, Fionës dhe Melisës. Për të, ky hap i ri shihet si një mënyrë për të kontribuar ndryshe në shoqëri dhe për të mbështetur zhvillimet që i sheh të rëndësishme për vendin.
Mirë se vjen, Adelina Thaçi Meta.

