Seanca e thirrur nga LVV para asaj ku pritej votimi i Konjufcës si mandatar për kryeministër u shoqërua me një përplasje mes deputetit Agim Bahtiri dhe Përparim Grudës nga PDK.
Nga vendi, Bahtiri i drejtoi Grudës me zë të lartë pyetjen: “A e ke pyet Listën Serbe që ke ardhë këtu?”, çka nxiti reagimin e deputetit të PDK-së.
Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka folur për këtë përplasje dhe ka theksuar se gjuha e Bahtirit është qëndrim personal. Në një intervistë për Kallxo.com, Maqedonci tha se personalisht beson se Gruda nuk ka pyetur Listën Serbe.
“Personalisht mendoj që Përparim Gruda nuk e ka pyetur Listën Serbe që të jetë apo mos të jetë në Kuvend,” deklaroi Maqedonci.
“Unë si profesionist, e as në karakterin tim, s’e kam të theksuar aspektin e këtij lloj komunikimi. Është qasje individuale,” shtoi ai.
