Sunday, June 21, 2026
HomeInformata , Siguri dhe VetdijesimEman Rrahmani i bashkohet koalicionit të PDK-së, thirrje për lidership bashkues dhe...

Eman Rrahmani i bashkohet koalicionit të PDK-së, thirrje për lidership bashkues dhe mbrojtje të familjes

Ish-deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Eman Rrahmani, ka njoftuar sot zyrtarisht se do të garojë në zgjedhjet e ardhshme si pjesë e një koalicioni brenda listës së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK). Vendimi i tij vjen pas ftesës së bërë nga kryetari i PDK-së dhe kandidati për kryeministër, Bedri Hamza.

Në deklaratën e publikuar, Rrahmani ka theksuar se angazhimi i tij politik mbetet i pandryshuar dhe i orientuar drejt shërbimit publik. Ai theksoi se vendi po kalon një periudhë të ndjeshme dhe se nevojitet një model i ri qeverisjeje që fokusohet në qytetarin.

“Vazhdojmë angazhimin tonë politik me përkushtim të plotë, në shërbim të çdo qytetari të Republikës së Kosovës,” shkroi ai, duke theksuar se prioritetet e tij janë stabiliteti, serioziteti qeverisës dhe përgjegjësia institucionale.

Rrahmani u ndal edhe te roli i kryeministrit dhe drejtimi politik i vendit, duke thënë se Kosovës i duhet një lidership që bashkon qytetarët dhe përmirëson imazhin e shtetit në arenën ndërkombëtare.

“Kosovës i duhet një kryeministër që bashkon e jo që përçan, një qeveri që i hap vendit horizonte të reja ekonomike, një qeveri që mbron familjen, vlerat konservatore dhe stabilitetin shoqëror,” ka deklaruar ai.

Një pjesë e rëndësishme e mesazhit të tij ishte përqendrimi te familja dhe roli i saj në strukturën shoqërore të vendit.

“Familja është themeli i shoqërisë sonë… Të forcojmë familjen do të thotë të forcojmë kombin,” theksoi Rrahmani.

Ai shtoi se do të angazhohet për politika që mbështesin prindërit, të rinjtë dhe sigurinë ekonomike të familjeve, duke e cilësuar këtë si njërën prej fushave që Kosova e ka më së shumëti të nevojshme në këtë periudhë.

Sipas tij, bashkëpunimi me PDK-në vjen si rezultat i një platforme të përbashkët politike që synon të krijojë stabilitet shoqëror dhe të hapë rrugë të reja zhvillimi ekonomik, duke synuar një qasje më gjithëpërfshirëse në qeverisje.

Me këtë lëvizje, Eman Rrahmani bëhet një nga figurat e para të dalë nga radhët e Vetëvendosjes që i bashkohet një projekti politik të mbështetur nga PDK në zgjedhjet e ardhshme.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments