Deputeti i PDK-së, Përparim Gruda, ka konfirmuar disa nga emrat e rinj që pritet të jenë pjesë e listës së partisë për zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit. Në një intervistë për “Infokus Live”, Gruda deklaroi se edhe vetë do të rikandidojë si deputet.
“Po, unë do të jem sërish pjesë e listës së PDK-së për deputet,” tha ai, duke shtuar se lista për këtë raund zgjedhor do të përmbajë figura të reja dhe profesionistë të njohur.
Gruda theksoi se interesi ka qenë i madh nga individë të rinj dhe personalitete të ndryshme, por theksoi se partia duhet të bëjë një përzgjedhje të kujdesshme. “Shpresoj të mos na idhnohen sepse nuk mund të vendosim të gjithë, por pa dyshim do të jetë lista më e mirë në këto zgjedhje,” u shpreh ai.
Ndër emrat e konfirmuar për herë të parë janë:
- Arben Mustafa – ekonomist, i doktoruar në Londër
- Besa Kabashi – eksperte e sigurisë
- Arian Tahiri – i cili hyn për herë të parë në garë për deputet
Gruda përmendi se PDK po përgatit një listë “të fortë dhe profesionale”, që sipas tij, do të reflektojë pritjet e elektoratit dhe do të garantojë një përfaqësim cilësor në Parlamentin e Kosovës.
