Sipas mediave italiane, ish-Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Politikën e Jashtme, Federica Mogherini, është arrestuar bashkë me diplomatin e njohur italian Stefano Sannino dhe një menaxher të një institucioni akademik, në kuadër të një hetimi për dyshime parregullsish në një program trajnimi të financuar nga BE-ja me vlerë 990,000 euro.
Krimet e dyshuara përfshijnë ndërhyrje dhe mashtrim në prokurimin publik, korrupsion, konflikt interesi dhe shkelje të sekretit profesional, sipas Zyrës së Prokurorit Publik Evropian (EPPO). Hetimi lidhet me favore të dyshuara në dhënien e fondeve për një program trajnimi për diplomatët e ardhshëm evropianë dhe ka të bëjë me periudhën nga viti 2021.
Gjyqësori siguroi heqjen e imunitetit diplomatik për të mundësuar arrestimin e Mogherinit dhe Saninos. Hetimi filloi nga Zyra e Prokurorit Publik Federal në Bruksel dhe më pas u zhvillua nga EPPO, e cila merret me parregullsitë që përfshijnë fondet e BE-së.
Hetuesit dyshojnë se informacioni mbi kriteret e tenderit mund të jetë shpërndarë më parë tek kandidatët e mundshëm, duke shkelur rregullat e konkurrencës së drejtë dhe duke favorizuar një fitues të caktuar. Ata po shqyrtojnë gjithashtu nëse përfaqësuesit e institucioneve të përfshira ishin të vetëdijshëm për këtë informacion dhe nëse kanë ndërhyrë në mënyrë të paligjshme.
Përveç arrestimeve, autoritetet belge kanë kryer kontrolle në zyrat dhe banesat e të tre të dyshuarve. Një zyrtar i BE-së tha për Agjencinë France Presse se hetimi nuk ka të bëjë me aktivitetet e Bashkimit Evropian pas vitit 2024, kur Kaja Kallas u emërua Përfaqësuese e Lartë për Punët e Jashtme.
Zëdhënësja e Komisionit Evropian, Paula Pinho, deklaroi se institucionet nuk po bëjnë komente mbi hetimin në vazhdim:
“Ne nuk po komentojmë ndërsa një proces gjyqësor është duke u zhvilluar.”
/Burimi: Euronews Albania/
