Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI) ka njoftuar se, për shkak të reshjeve të fundit dhe situatës së vështirësuar në disa zona të vendit, fillimi i procesit mësimor do të shtyhet deri më 12 janar 2026.
Si pasojë e vërshimeve, qarkullimit të vështirësuar dhe pengesave në trafik, pushimi dimëror do të vazhdojë edhe për 8 dhe 9 janar, në të gjithë vendin. Mësimi për gjysmëvjetorin e dytë do të nisë të hënën e ardhshme, më 12 janar 2026.
MAShTI thekson se është në komunikim të vazhdueshëm me Drejtoritë Komunale të Arsimit dhe, bazuar në raportimet nga terreni, fillimi i mësimit ditën e enjte ishte i pamundur. Orët e humbura gjatë këtyre dy ditëve do të zëvendësohen gjatë pjesës së dytë të vitit shkollor 2025/2026, për të gjitha nivelet e arsimit parauniversitar.
Ministria falënderon prindërit, nxënësit dhe mësimdhënësit për bashkëpunimin dhe mirëkuptimin, duke ritheksuar se siguria e nxënësve dhe e stafit arsimor mbetet prioritet kryesor.
