Saturday, April 18, 2026
HomeLajmeKanë mbetur pak vota, por një mandat ende nuk është mbyllur plotësisht

Kanë mbetur pak vota, por një mandat ende nuk është mbyllur plotësisht

Eugen Cakolli, ka publikuar një analizë të detajuar mbi fazën përfundimtare të numërimit të votave, duke theksuar se në proces kanë mbetur maksimalisht rreth 5 mijë vota pa u proceduar.

Sipas tij, ky numër përfshin rreth 1 mijë vota nga disa kuti që aktualisht janë në proces numërimi, si dhe afërsisht 3,500 vota me postë që pritet të procedohen gjatë ditës së nesërme. Me këtë volum votash, Cakolli vlerëson se hapësira për ndryshime në ndarjen e mandateve është tashmë jashtëzakonisht e kufizuar.

Ai thekson se praktikisht të gjitha mandatet janë të mbyllura, përjashtuar vetëm një – mandatin e 15-të të LDK-së, i cili mbetet matematikisht në garë përballë mandatit potencial të 58-të të Lëvizjes Vetëvendosje.

Sipas të dhënave aktuale, koeficienti i mandatit të 15-të të LDK-së është 8,378, ndërsa koeficienti i mandatit të 58-të të LVV-së është 8,329, çka i jep LDK-së një avantazh prej rreth 50 pikësh.

Cakolli vëren se kutitë e fundit të numëruara kanë sjellë një ndryshim të lehtë të trendit: LVV ka shënuar një rënie prej rreth 0.6 pikë përqindje, ndërsa LDK ka regjistruar një rritje pothuajse identike. Kjo lëvizje ka ndikuar drejtpërdrejt në forcimin e pozicionit të LDK-së në këtë garë të ngushtë matematikore.

Nëse trendi aktual vazhdon pa ndryshime të mëdha – rreth 73% e votave të mbetura për LVV-në dhe rreth 10% për LDK-në – atëherë LVV do të përfundojë me rreth 486 mijë vota, që do t’i siguronte një koeficient afërsisht 8,386. Në të njëjtën kohë, LDK do të arrinte rreth 126 mijë vota, me një koeficient prej rreth 8,408.

Edhe në këtë skenar, mandati do të mbetej te LDK-ja, me një avantazh të vogël, por vendimtar. Sipas Cakollit, që LVV ta fitojë mandatin e 58-të, do të duhej të siguronte gati 80% të votave të mbetura, ose që LDK të binte nën 9% – dy zhvillime që, bazuar në trendin aktual, konsiderohen pothuajse të pamundura.

Për rrjedhojë, përfundon ai, skenari më i mundshëm mbetet ndarja e mandateve 57-22-15-6, përveç nëse ndodh një devijim i madh dhe i papritur nga trendi aktual i numërimit.

Edhe pse teknikisht një mandat mbetet në lojë, të dhënat statistikore dhe trendi i votimit e bëjnë ndryshimin e rezultatit final shumë pak të mundshëm. Në këtë fazë, matematika zgjedhore ka më shumë peshë sesa dinamika politike.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments