Sunday, September 20, 2026
HomeHulumtimeNjë produkt i njohur europian përfundon në tregun kosovar, por institucionet heshtin

Një produkt i njohur europian përfundon në tregun kosovar, por institucionet heshtin

Një alarm serioz për sigurinë ushqimore është ngritur në nivel evropian, por në Kosovë institucionet përkatëse vazhdojnë të heshtin. Sistemi i Njoftimit të Shpejtë për Ushqimin dhe Ushqimin për Kafshë të Komisionit Evropian (RASFF) ka konfirmuar se në tregun kosovar është shpërndarë Mozzarella e kontaminuar me Aflatoksinë M1, e prodhuar nga qumështi i buallicës dhe me origjinë nga Italia.

Sipas njoftimit zyrtar të RASFF, produkti problematik është eksportuar nga Italia drejt disa shteteve evropiane, përfshirë Kosovën, Kroacinë, Gjermaninë, Hungarinë dhe Poloninë, dhe është kërkuar tërheqja e menjëhershme nga tregu në të gjitha këto vende.

Megjithatë, ndryshe nga autoritetet shëndetësore italiane dhe mediat ndërkombëtare, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë së Kosovës (AUV) deri më tani nuk ka publikuar asnjë njoftim zyrtar për konsumatorët, as paralajmërim për moskonsumim dhe as informim për produktet konkrete që mund të ndodhen ende në qarkullim.

Çfarë kanë bërë autoritetet italiane?

Mediat italiane, duke iu referuar Ministrisë së Shëndetësisë së Italisë, kanë konfirmuar se prodhuesi ka nisur tërheqjen paraprake të disa serive të Mozzarella di Bufala Campana DOP, të shpërndara nën markat:

  • Contadina
  • Metro Chef
  • Tamburro

Edhe pse në njoftimet zyrtare përdoren terminologji paksa të ndryshme (Aflatoksinë M1 dhe A1), datat e ALERT-it janë identike, çka forcon dyshimet se bëhet fjalë për të njëjtin rast.

Seritë e dyshuara sipas mediave italiane

Sipas Ilfattoalimentare.it, produktet e prekura përfshijnë disa madhësi dhe seri, të cilat janë shpërndarë edhe jashtë Italisë. Këto produkte, sipas RASFF, duhet të tërhiqen menjëherë nga tregu, përfshirë edhe në Kosovë.

Heshtja institucionale – rrezik për besimin publik

Ekspertët e sigurisë ushqimore theksojnë se transparenca dhe reagimi i shpejtë janë kyçe për mbrojtjen e shëndetit publik. Mungesa e një njoftimi zyrtar nga AUV ngre pikëpyetje serioze mbi mekanizmat e monitorimit dhe komunikimit me qytetarët.

Në mungesë të informacionit zyrtar, konsumatorët kosovarë mbeten të pasigurt nëse këto produkte ndodhen ende në treg ose në frigoriferët e tyre.

Ky rast tregon një hendek shqetësues mes sistemeve evropiane të sigurisë ushqimore dhe reagimit institucional në Kosovë. Ndërsa RASFF funksionon si mekanizëm paralajmërimi në kohë reale, mungesa e komunikimit lokal rrezikon shëndetin publik dhe dëmton besimin e qytetarëve ndaj institucioneve.

Burimi

RASFF – Komisioni Evropian

Ilfattoalimentare.it

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments