Formimi i institucioneve të reja në Kosovë duket se po hyn në fazën vendimtare, ndërsa sinjalet nga komunitetet pakicë po e lehtësojnë rrugën për qeverinë e tretë të Albin Kurtit. Lëvizja Vetëvendosje, nga zgjedhjet e 28 dhjetorit, ka siguruar 57 ulëse në Kuvend, një rezultat i fortë, por jo i mjaftueshëm për ta formuar e vetme Qeverinë dhe për ta konstituuar Kuvendin, procese që kërkojnë minimumi 61 vota.
Megjithatë, sfida aritmetike duket se po tejkalohet pa pasur nevojë për një koalicion paraprak me partitë shqiptare opozitare. Përfaqësues nga komunitetet serbe dhe jo serbe kanë shprehur hapur gatishmërinë për bashkëpunim me Kurtin, duke e çuar numrin potencial të votave përtej pragut të nevojshëm.
Një nga deklarimet më të qarta ka ardhur nga Nenad Rashiq, kryetar i Partisë për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë nga komuniteti serb, i cili sipas rezultateve paraprake ka siguruar një mandat në Kuvend. Rashiq ka konfirmuar se është i gatshëm ta votojë qeverinë “Kurti 3”, duke theksuar se paraprakisht pret një takim me kryeministrin në detyrë për sqarimin e disa çështjeve teknike.
“Kam përvoja të mira bashkëpunimi me zotin Kurti. Nuk kemi kushte politike për votën, por disa kërkesa teknike në interes të qytetarëve serbë. Kushtetuta parasheh që një ministri të udhëhiqet nga një ministër serb dhe gjithçka po na çon drejt vazhdimit të bashkëpunimit”, ka deklaruar Rashiq.
Edhe nga komunitetet rom dhe ashkali janë dhënë sinjale pozitive, ndonëse përfundimi i rezultateve nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ende po pritet. Artan Asllani, përfaqësues i Partisë Socialdemokrate të Ashkalinjve, ka konfirmuar se është i gatshëm të votojë për konstituimin e Kuvendit dhe formimin e Qeverisë.
“Do të jemi pro konstituimit të Kuvendit dhe formimit të Qeverisë. Jemi të gatshëm të marrim përgjegjësi dhe të japim kontributin tonë”, ka thënë Asllani.
Në të njëjtën linjë është shprehur edhe Albert Kinolli, përfaqësues i komunitetit rom, i cili ka deklaruar se shumica e deputetëve të grupit multietnik pritet ta mbështesin qeverinë e re.
“Minimumi 8 nga 10 deputetët e grupit multietnik do ta votojnë Qeverinë. Ne do të luajmë rol konstruktiv dhe do ta japim votën tonë për formimin e institucioneve”, ka theksuar Kinolli.
Ndërkohë, mbetet e paqartë nëse Duda Balje nga komuniteti boshnjak dhe Veton Berisha nga Partia Liberale Egjiptiane kanë ndryshuar qëndrimin e tyre, pasi në të kaluarën kishin shprehur rezerva ndaj qeverisë së drejtuar nga Kurti.
Sipas kalkulimeve aktuale dhe deklarimeve publike të përfaqësuesve të minoriteteve, LVV-ja pritet t’i sigurojë rreth 65 vota, një numër i mjaftueshëm për konstituimin e Kuvendit dhe formimin e Qeverisë së re.
Sinjalet nga pakicat tregojnë se “Kurti 3” po ndërtohet më shumë mbi bashkëpunimin institucional sesa mbi koalicionet klasike politike. Mbështetja e komuniteteve joshqiptare jo vetëm që e zgjidh ngërçin e numrave, por i jep qeverisë së ardhshme një karakter më funksional dhe më pak të varur nga kompromiset me opozitën shqiptare. Nëse këto vota konkretizohen, Kurti hyn në mandatin e tretë me një stabilitet fillestar më të madh se sa pritej.
