Tuesday, August 4, 2026
HomeAktualitet & Siguri RrugoreKorridori 8: Vonesat dhe sfidat e vazhdueshme të projekteve infrastrukturore

Korridori 8: Vonesat dhe sfidat e vazhdueshme të projekteve infrastrukturore

Punimet për Korridorin 8, autostradën strategjike që lidh Maqedoninë e Veriut me vendet fqinje, vazhdojnë të përballen me sfida të shumta edhe në vitin 2025. Kryeministri Hristijan Mickoski ka theksuar se problemi kryesor lidhet me segmentin Trebenisht–Qafë Thanë, pjesë e të cilit ndodhet në zonë të mbrojtur nga UNESCO.

“Diskutabile është rruga nga Qafë Thanë deri në Trebenisht, sepse ajo pjesë hyn në perimetrat e mbrojtura nga UNESCO. Duhet të shqyrtojmë se si do të veprojmë më tej, në përputhje me vendimet e këtij institucioni, sepse situata është trashëguar nga qeveria e kaluar,” deklaroi Mickoski.

Këtë problematikë e konfirmoi edhe ministri i Transportit, Aleksandar Nikolloski, duke shtuar se në mars pritet një takim në Paris me ekspertë të UNESCO-s dhe autoritete lokale për të vendosur nëse do të ndryshohet traseja ose do të merren masa të tjera për mbrojtjen e zonës.

Sipas kompanisë ndërtuese, punimet në segmentin Gostivar–Kërçovë po zhvillohen sipas planit, dhe 80% e urës së pestë tashmë është përfunduar. Zëvendësministrja e Transportit, Kaltrina Zekolli, deklaroi për TV21 se përfundimi i Korridorit 8 pritet në vitin 2029, ndërsa vlera totale e projektit kap mbi 1 miliard euro, ku 600 milionë janë investuar tashmë në segmentin Kërçovë–Ohër.

Pas 11 vitesh nga fillimi i ndërtimit të autostradës Kërçovë–Ohër, deri më tani funksional janë vetëm 20 kilometra, të hapur për qarkullim katër muaj më parë nga Vrbjani deri në Botun. Segmentet e tjera, si Tetovë–Gostivar dhe Ohër–Kërçovë, vazhdojnë punimet intensive, sipas deklaratave të zëvendëskryeministrit Nikolloski.

Projekti ka hasur në probleme historike të trashëguara nga qeveritë e mëparshme, duke përfshirë mospërputhje midis rrugës së projektuar dhe asaj të ndërtuar, çka shkaktoi ndërprerje të punimeve dhe rritje të kostos për qytetarët. Një marrëveshje e re me kompaninë kineze parashikoi 185 milionë euro shtesë për të zgjidhur problemet.

Segmenti Shkup–Bllacë gjithashtu ka përjetuar vonesa. Dy kilometra të parë, të cilat pritej të përfundonin në nëntor 2024, ende nuk janë hapur për qarkullim për shkak të procedurave për shpronësimin e tokës. Sipas Zekollit, ky segment ka kushtuar rreth 24 milionë euro, ndërsa pjesa e dytë e rrugës do të nisë punimet në verë të 2025.

Një tjetër projekt i rëndësishëm është rruga Tetovë–Prizren, vlera e së cilës arrin mbi 33 milionë euro. Edhe pse është përfolur prej vitesh dhe projektet janë dorëzuar për miratim te pala kosovare, punimet konkrete nuk kanë filluar ende. Zëvendësministrja e Transportit e Maqedonisë, Kaltrina Zekolli, theksoi se janë ndarë 2 milionë euro për projektimin e projektit kryesor dhe pritet fillimi i punimeve në terren në pranverë. Kryetari i Tetovës, Bilall Kasami, shtoi se komuna ka hapur tender për një qarkore mbi fshatin Shipkovicë që do të lehtësojë qarkullimin dhe lidhjen me tunelin Tetovë–Prizren.

Megjithë përpjekjet e qeverisë aktuale për të përshpejtuar projektet infrastrukturore, vonesat burokratike, sfidat teknike dhe problemet historike të trashëguara vazhdojnë të pengojnë realizimin e plotë të Korridorit 8 dhe projekteve të tjera strategjike.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments