Pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka siguruar më pak ulëse në Kuvend krahasuar me zgjedhjet e 9 shkurtit, por përbërja e re e grupit parlamentar ka befasuar me hyrjen e katër deputetëve të rinj.
Lista e të rinjve kryesohet nga Ukë Rugova, i biri i presidentit historik Ibrahim Rugova, i cili mori 48,289 vota, duke u renditur i treti në listën e më të votuarve të partisë. Ndërsa në Kuvend nga LDK hynë edhe Janina Ymeri, Adelina Thaqi Meta dhe Ermal Sadiku.
Befasi negative për partinë ishte moszgjedhja e Arben Gashit, ish-deputet në disa legjislatura të kaluara. Jashtë Kuvendit mbetën gjithashtu ish-deputetë si Alban Zogaj, Paris Guri, Ekrem Hyseni, Krenar Xhaferi, Serbeze Mucaj, Hysen Çekaj dhe Arjeta Abazi, të cilët kishin fituar mandat më 9 shkurt.
Ish-deputeti i LDK-së, Adem Salihaj, shpreh shqetësim për hyrjen e figurave të reja pa përvojë në politikë, të cilët sipas tij nuk sjellin vlera të reja. “Emrat e rinj që hyjnë papritmas në politikë, por që më parë nuk kanë qenë në sferën politike, zakonisht nuk kanë sjellë ndonjë kontribut real. Ata më shumë janë numër sesa faktorë aktivë në Kuvend,” thotë Salihaj.
Ai shton se elektorati shpesh zgjedh kandidatë të gabuar, të cilët përfundojnë si “figurantë” ose “zhurmues” në Kuvend. Salihaj thekson se figura me bagazh patriotik dhe intelektual si Gëzim Hazrolli nuk u votuan, duke fajësuar lidershipin e LDK-së për favorizimin e të pamerituarve. Sipas tij, kjo ka ndikuar në krizë identiteti dhe rënie të thellë të partisë, e cila tani ndodhet në 13% mbështetje me rrezik për rënie të mëtejshme.
“Vetë lidershipi ka krijuar një klimë që favorizon njerëz të pamerituar dhe lë anash ata që meritojnë, duke dobësuar kështu identitetin e partisë dhe besimin e elektoratit,” përfundon Salihaj.
Zgjedhjet e fundit tregojnë një ndryshim të qartë në preferencat e LDK-së, ku figura të reja dhe familjare kanë marrë vendin e ish-deputetëve me kontribut të gjatë. Kjo lëvizje duket se ka ndikim në perceptimin publik dhe strukturën e partisë, duke nxitur debate për meritokracinë dhe zgjedhjet e elektoratit në Kosovë.
