Gjykata e Apelit ka vendosur të ulë dënimin e Tom Dodajt, i akuzuar për shitjen e armës me të cilën dyshohet se u vra Liridona Ademaj në nëntor të vitit 2023.
Më parë, Gjykata Themelore e kishte dënuar Dodajn me pesë vjet burgim, ndërsa Apeli e ka reduktuar këtë dënim në tre vjet. Sipas vendimit të Apelit, Dodajt do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim nga data 09 dhjetor 2023 deri më 17 prill 2024.
Ai akuzohet për veprën penale “Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materialeve plasëse”. Dodaj kishte pranuar fajësinë për këtë vepër, por nuk ishte pajtuar me lartësinë e dënimit.
Ndërkaq, për vrasjen e Liridona Ademajt vazhdojnë hetimet dhe akuzat ndaj bashkëshortit të saj, Naim Murseli, si dhe Granit Plava dhe Kushtrim Kokalla.
