I dërguari i posaçëm i Bashkimit Europian për Dialogun Kosovë – Serbi, Peter Sorensen, ka nisur një seri takimesh zyrtare në Kosovë, duke filluar me Kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, dhe më pas me Presidenten Vjosa Osmani.
Takimi me Kurtin nisi në orën 09:00, ndërsa takimi me Osmanin në Presidencë në orën 10:00. Pas këtyre bisedimeve, Sorensen pritet të takohet edhe me përfaqësues të partive opozitare. Vizita e tij është e para zyrtare për këtë vit në Kosovë.
Pas Prishtinës, emisari i BE-së do të udhëtojë për në Beograd, ku pritet të zhvillojë takime me udhëheqësit e Serbisë. Gjatë një viti si emisar, Sorensen ka zhvilluar dy takime në nivel kryenegociatorësh, por ende nuk ka arritur të ndërmjetësojë një takim të nivelit të lartë në Bruksel mes dy udhëheqësve. Takimi i fundit në këtë nivel mes kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, u mbajt më 14 shtator 2023, por përfundoi pa ndonjë rezultat të prekshëm.
Në mars të vitit 2026, bëhen tre vjet nga marrëveshja e arritur në Ohër të Maqedonisë së Veriut, ku dy liderët ranë dakord për zbatimin e Aneksit të Marrëveshjes Bazike të Brukselit. Marrëveshja me 11 nene parasheh normalizim të marrëdhënieve, njohje të simboleve shtetërore dhe një nivel vetëmenaxhimi për komunitetin serb në Kosovë, por deri më tani ajo nuk është zbatuar.
Procesi i dialogut Kosovë – Serbi, i ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian, ka nisur në vitin 2011 dhe ka përparuar nga çështjet teknike drejt nivelit politik, megjithatë sfidat për arritjen e marrëveshjeve përfundimtare vazhdojnë.
