Gjykata Supreme e Kosovës ka rrëzuar ankesën e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) mbi numërimin e fletëvotimeve me postë të dërguara nga votues jashtë vendit për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit 2025.
Vendimi i Supremes e konfirmon atë të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), i cili kishte vlerësuar ankesën e PDK-së si të pabazuar. Partia kishte kërkuar anulimin e të gjitha fletëvotimeve të pranuara pas datës 29 dhjetor, përfshirë ato më 2 dhe 5 janar 2026, duke argumentuar se kjo ishte në shkelje të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme.
Gjykata Supreme sqaroi se ankesa është dorëzuar jashtë afatit ligjor prej 48 orësh nga momenti i shkeljes së pretenduar, duke e bërë të pasafatshme shqyrtimin e saj. Sipas vendimit, as PZAP dhe as Gjykata nuk kishin kompetencë të shqyrtonin ligjshmërinë e vendimeve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për zgjatjen e afateve të pranimit të votave me postë.
Supremja gjithashtu theksoi se pasojat politike, përfshirë humbjen e mandateve parlamentare, nuk mund të justifikojnë tejkalimin e afateve ligjore të procesit zgjedhor.
