Leposaviq, 16 janar 2026 – Hetuesit e Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK) kanë hetuar dhe verifikuar pretendimet e një ankuesi për keqtrajtim nga zyrtarë të Policisë së Kosovës në Leposaviq.
Incidenti raportohet të ketë ndodhur në Ura e Bistricës, pak pas orës 22:00 më 13 janar 2026, kur ankuesi, duke drejtuar një automjet Audi A4 me targa të Republikës së Serbisë dhe dy pasagjerë, është ndaluar në një pikë kontrolli nga zyrtarët policorë.
Hetuesit e IPK-së, në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Mitrovicë, kanë ndërmarrë menjëherë veprime hetimore, duke përfshirë intervistimin e ankuesit në prani të avokatit të tij mbrojtës. Ankuesi pretendoi se gjatë kontrollit ishte keqtrajtuar dhe kishte pësuar lëndime trupore, duke kërkuar edhe trajtim mjekësor në Spitalin Rajonal në Mitrovicë – Veri. Ai po ashtu pretendoi se njëri nga zyrtarët kishte goditur edhe një nga pasagjerët e tij me kondak armë.
Gjatë hetimeve, IPK siguroi video incizime nga kamerat e sigurisë që mbulonin vendin e ndalesës. Pas analizës së provave dhe të video-incizimeve, u vërtetua se pretendimet e ankuesit nuk përputheshin me faktet dhe se zyrtarët policor nuk kishin tejkaluar autorizimet e tyre. Hetuesit konkluduan se pretendimet ishin të sajuara.
Në bazë të këtyre gjetjeve, Prokurori i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë ka kërkuar që ndaj ankuesit, tani i dyshuar, të iniciohet rast dhe hetim penal për veprën penale “Lajmërim i rremë apo kallëzim i rremë”.
Kjo masë nënvizon përkushtimin e IPK-së dhe Prokurorisë për të verifikuar çdo pretendim të dhunës policore dhe për të siguruar integritetin e hetimeve në mënyrë të paanshme dhe profesionale.
Hetimi tregon se IPK-ja vepron në përputhje me ligjin dhe i verifikon me kujdes të gjitha pretendimet për keqtrajtim. Rasti pasqyron edhe rëndësinë e kallëzimeve të sakta dhe pasojat e raporteve të rreme.
