Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka ndërmarrë masa të menjëhershme ndaj një produkti ushqimor për fëmijë të importuar nga Holanda, pasi analiza ka nxjerrë prani të substancës Cereulide, e cila mund të paraqesë rrezik për shëndetin.
Produktet e kontaminuara janë sjellë në Kosovë përmes kompanisë Rossmann & LALA SH.P.K., e cila operon edhe në Shqipëri. Të dhënat tregojnë se 462 copë të këtij produkti janë shpërndarë nëpër dyqanet Rossmann Kosova. Biznesi figuron i regjistruar në Kosovë me pronarë Altin Lala dhe Roßmann Dirk Daniel.
Sipas njoftimit zyrtar të AUV-së, informacioni mbi produktet problematike ka ardhur nga Shqipëria përmes Sistemit të Paralajmërimit të Shpejtë për Ushqimin dhe Ushqimin për Kafshë (RASFF), me referencë nr. 810066, 2025.9963.
Në bashkëpunim me Rossmann Kosova, AUV ka realizuar bllokimin e menjëhershëm të produktit, ndërsa shumë shpejt pritet të fillojë edhe procesi i asgjësimit, në përputhje me ligjin në fuqi.
Autoritetet njoftojnë se qytetarët duhet të jenë të kujdesshëm dhe të mos përdorin produktet e dyshimta deri në përfundimin e procesit të asgjësimit.
