Friday, April 17, 2026
HomeLajmeNjë paralajmërim i fortë nga Prizreni, Selmanaj flet për një skenar që...

Një paralajmërim i fortë nga Prizreni, Selmanaj flet për një skenar që po përsëritet

Ish-deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe kryetar i Degës së LDK-së në Prizren, Driton Selmanaj, ka reaguar publikisht lidhur me zhvillimet e fundit nga procesi i rinumërimit të votave, duke e cilësuar situatën si një manipulim industrial të votës, që sipas tij po përsëritet ndër vite.

Selmanaj ka rikujtuar se menjëherë pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit 2025 kishte ngritur publikisht dyshime për manipulim votash në Qendrat Komunale të Numërimit, në përfaqësitë diplomatike si dhe në votat me postë. Në atë periudhë, ai dhe disa ish-deputetë kishin kërkuar rinumërim të përgjithshëm të votave, por sipas tij, institucionet i kishin injoruar plotësisht.

Sipas Selmanajt, mungesa e reagimit institucional nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe mungesa e vullnetit politik për ta zbardhur të vërtetën, i kanë inkurajuar komisionerët që e njëjta situatë të përsëritet edhe në zgjedhjet e 28 dhjetorit 2025.

Ai ka theksuar se ajo çfarë po zbulohet në komunën e Prizrenit nuk është rast i izoluar, por një dukuri që, sipas tij, ka ndodhur në gjithë Kosovën. Për këtë arsye, Selmanaj ka ritheksuar se rinumërimi i të gjitha kutive ka qenë dhe mbetet i domosdoshëm.

Sipas tij, të dhënat nga rinumërimi në Prizren janë tejet shqetësuese, pasi të gjithë kandidatëve, nga të gjitha partitë politike, u janë prekur ose ndryshuar votat, disa me dallime të mëdha e disa me më të vogla, por pa përjashtim.

Kjo situatë, sipas Selmanajt, ngre dyshime për një skenar të mirëorganizuar për abuzim masiv të votave, i cili ka përfshirë të gjitha partitë politike, përfshirë edhe listën e kandidatëve të LDK-së.

Ai ka deklaruar se distancohet plotësisht nga çdo individ që ka marrë guximin të tjetërsojë vullnetin e qytetarëve të Prizrenit, duke theksuar se tashmë i mbetet organeve të drejtësisë të vërtetojnë këto dyshime.

Në fund, Selmanaj ka bërë thirrje që KQZ, Prokuroria dhe institucionet tjera kompetente të ndërmarrin të gjitha veprimet ligjore për të rikthyer rregullsinë e procesit zgjedhor dhe për t’i ndëshkuar abuzuesit.

“Vota e qytetarëve është e shenjtë dhe mbrojtja e saj është misioni më patriotik që mund t’i shërbejmë vendit”, ka theksuar Selmanaj, duke shtuar se rinumërimi i votave në gjithë Kosovën është e vetmja mënyrë për të rikthyer besimin në procesin elektoral.

Deklarata e Selmanajt e thellon krizën e besimit në procesin zgjedhor dhe shton presionin mbi institucionet për transparencë të plotë. Nëse rinumërimi mbetet i kufizuar vetëm në disa komuna, dyshimet për manipulim të organizuar rrezikojnë të dëmtojnë seriozisht legjitimitetin e zgjedhjeve.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments