Fushë-Kosovë – Qysh pas marrjes së mandatit si kryetar i Komunës së Fushë-Kosovës, Valon Prebreza ka vënë theks të veçantë në rritjen e cilësisë së jetës për qytetarët dhe rregullimin e hapësirave publike në qytet. Në vijim të këtij angazhimi, Drejtoria për Inspektorat ka realizuar gjatë ditës së sotme inspektime në terren në disa zona të qytetit, me qëllim lirimin e trotuareve dhe sipërfaqeve të përbashkëta.
Gjatë kontrolleve janë evidentuar raste të bllokimit të hapësirave publike dhe shfrytëzime të tjera pa autorizim. Inspektorët kanë kërkuar largimin e menjëhershëm të pengesave, kanë dhënë paralajmërime në vend dhe kanë iniciuar procedurat për trajtim administrativ sipas kompetencave ligjore.

Qëllimi ynë është që qytetarët të kenë lëvizje të lirë dhe qasje të sigurt në hapësirat publike, përfshirë edhe personat me aftësi të kufizuara. Do të vazhdojmë me inspektime të rregullta, dhe në rast të mosrespektimit, do të ndërmerren masa të tjera, përfshirë gjoba dhe largim të detyrueshëm të pengesave,” tha Drejtori për Inspektorat, Durim Hajra.

Kryetari Prebreza dhe stafi i tij falënderojnë qytetarët dhe bizneset për bashkëpunimin dhe gatishmërinë që treguan gjatë këtij aksioni, duke e konsideruar pjesëmarrjen e tyre një kontribut të rëndësishëm për qytetin.
Komuna e Fushë-Kosovës rikujton se do të vazhdojë angazhimin për një qytet më të rregullt, të sigurt dhe më të aksesueshëm për të gjithë.

