Një postim që po qarkullon në rrjete sociale po ngjall reagime të forta në opinionin publik, duke e lidhur simbolikisht mesazhin e Belinda Ballukut në dosjen e SPAK‑ut me gjendjen e opozitës në Kosovë pas zgjedhjeve të dhjetorit.
Autori i postimit i referohet një bisede të përfshirë në dosjen e SPAK‑ut, ku zëvendëskryeministrja e Shqipërisë, Belinda Balluku, pasi njoftohet se një biznesmeni turk i ka vdekur nëna, përgjigjet: “Epo, të rrojmë vetë, ca të them…”. Sipas autorit, kjo fjali shërben si metaforë ironike për zhgënjimin e madh të qytetarëve opozitarë në Kosovë.
Në postim theksohet se rinumërimi i votave pas zgjedhjeve nxori në pah vjedhje dhe manipulime masive mes vetë partive politike, duke e dëmtuar opozitën më shumë sesa vetë humbja elektorale. Sipas tij, kjo vjedhje po e vulos një humbje fatale politike, sepse rrëzon iluzionin e ndërtuar prej vitesh se ndryshimi do të vinte përmes partive opozitare.
Autori përshkruan edhe zhgënjimin e të rinjve me ambicie politike, të cilët kishin investuar kohë, para dhe shpresë për të ndërtuar karrierë përmes opozitës, por që tani po shohin se votat e kandidatëve janë “fshirë” nga tabelat e KQZ‑së me minusat e kuq.
Në postim përmendet gjithashtu se manipulime janë konstatuar edhe te Lëvizja Vetëvendosje, veçanërisht në Prizren, por autori nënvizon se zhgënjimi më i madh vjen pikërisht nga partitë opozitare, të cilat ishin projektuar si alternativa e ndershme ndaj pushtetit.
Postimi mbyllet me një fjali të fortë simbolike:
“Meqë vdiq ky iluzion, të rrojmë vetë, ça të them…?”
Një mesazh që përmbledh ndjenjën e humbjes së shpresës dhe krizën e besimit tek opozita kosovare pas skandalit të rinumërimit të votave.
