Saturday, June 20, 2026
HomeEkonomiKEK-u punon 24/7 për rikthimin e njësive B2 dhe A3 – Apel...

KEK-u punon 24/7 për rikthimin e njësive B2 dhe A3 – Apel qytetarëve për kursim të energjisë

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) vazhdon angazhimin maksimal për sigurimin e furnizimit të pandërprerë me energji elektrike, edhe gjatë ditëve të ftohta kur kërkesa është më e lartë.

Sipas informacioneve nga Divizioni për Prodhimin e Qymyrit, TC “Kosova A” dhe TC “Kosova B” aktualisht operojnë me tri njësi (B1, A4 dhe A5), ndërsa ekipet teknike janë të angazhuara me tri ndërrime, 24 orë në ditë, për rikthimin sa më të shpejtë të njësive B2 dhe A3. Menaxhmenti i KEK-ut ka bërë të ditur se këto dy njësi pritet të kthehen në operim gjatë mbrëmjes së nesërme.

“Gjatë kësaj periudhe të ftohtë, presim që KEK-u të funksionojë me 5 blloqe. Ndonëse është sfiduese, TC Kosova A ka operuar me të tri njësitë njëkohësisht për 22 ditë që nga 19 dhjetori deri më sot. I jemi falënderues secilit punëtor dhe menaxher, që janë shtylla e sistemit tonë elektroenergjetik,” u shpreh menaxhmenti. Për krahasim, gjatë 25 viteve të kaluara KEK ka funksionuar me 5 njësi vetëm për 55 ditë në total.

Menaxhmenti dhe punonjësit e KEK-ut apeluan për angazhim maksimal për rikthimin dhe mbajtjen në operim të të gjitha njësive gjatë muajve të ftohtë. Furnizimi i rregullt me qymyr nga Divizioni për Prodhimin e Qymyrit është një parakusht kyç për funksionimin e stabilizuar të termocentraleve.

Njëkohësisht, qytetarët ftohen të kursejnë energjinë për aq sa është e mundur, në mënyrë që të kontribuojmë të gjithë së bashku në sigurinë energjetike të vendit.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments