Saturday, September 19, 2026
HomeInformata , Siguri dhe VetdijesimNjë paralajmërim i fortë nga kreu i PDK-së: Kush prek votën, rrezikon...

Një paralajmërim i fortë nga kreu i PDK-së: Kush prek votën, rrezikon gjithçka

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka dërguar një mesazh të fortë politik lidhur me dyshimet për manipulim të votave në zgjedhjet e 28 dhjetorit, duke paralajmëruar se partia që ai drejton do të vendosë një standard të ri në raport me deputetët që vërtetohen se kanë prekur votën.

Në një intervistë në emisionin “Rubikon”, Hamza u shpreh qartë se për rastet e tilla duhet të veprojnë organet e drejtësisë dhe institucionet zgjedhore, ndërsa nga ana politike ai premtoi distancim të plotë nga çdo kandidat që konstatohet se ka qenë pjesë e manipulimeve.

Sipas tij, ligji është i qartë dhe pasojat mund të jenë të rënda, përfshirë edhe humbjen e mandatit të deputetit. Hamza theksoi se çështja nuk është vetëm juridike, por mbi të gjitha morale.

“Pa fakte nuk flas, por nëse vërtetohet, si akt moral është edhe mospranimi i mandatit të deputetit”, u shpreh ai.

Kreu i PDK-së tha se edhe në rastet kur manipulimi i votave nuk ia humb mandatin kandidatit, dorëzimi i mandatit do të ishte veprim i drejtë.

“Ti mund të kesh 50 mijë apo 100 mijë vota, por nëse konstatohet se të janë shtuar vota në mënyrë të paligjshme dhe je pjesë e asaj skeme, nuk mund të thuash se edhe pa to bëhesh deputet”, deklaroi Hamza.

Ai shtoi se në parim këta kandidatë nuk duhet ta pranojnë mandatin dhe nëse e pranojnë, partia do të mbajë qëndrim të qartë distancimi.

“Si kryetar partie, nëse konstatohet se ka qenë pjesë e këtij procesi, nuk është veprim i duhur që ta pranojë mandatin. Nëse megjithatë e pranon, edhe partia, në këtë rast unë personalisht, distancohem”, theksoi ai.

Hamza kritikoi edhe heshtjen e disa liderëve politikë për këtë temë, duke thënë se fenomeni i manipulimit të votave duhet dënuar publikisht nga të gjithë.

“Unë kam parë liderë të partive politike që as që kanë folur për këtë çështje. Për këtë temë nuk ka folur as zotëri Kurti”, tha ai.

Ndër të tjera, Hamza shprehu shqetësim për kandidatët të cilëve u janë prekur votat gjatë procesit zgjedhor.

“Shqetësimi im nuk është si ndihet ai që i ka marrë votat padrejtësisht, por si ndihet ai që ia kanë marrë votat. Qysh ke lobuar, qysh ke punuar për ta çuar votën deri në kuti, ajo është puna jote, por dallimi mes votave në kuti dhe formular nuk duhet të ekzistojë”, u shpreh ai.

Deklaratat e Hamzës vijnë në një moment kur procesi i rinumërimit të votave ka hapur debate të mëdha mbi integritetin e zgjedhjeve dhe besimin e qytetarëve në sistemin zgjedhor.

Qëndrimi i Bedri Hamzës përbën një përpjekje për të vendosur një standard moral të ri në politikën kosovare, duke e zhvendosur përgjegjësinë nga vetëm drejtësia te vetë partitë. Distancimi politik nga deputetët e dyshuar mund të shërbejë si sinjal për rritjen e besimit publik, por sfida kryesore mbetet zbatimi praktik i këtij parimi në raste konkrete.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments