Donika Kadaj-Bujupi, këshilltare e presidentes Vjosa Osmani, ka bërë të ditur se së shpejti presidentja do t’i ftojë udhëheqësit e partive politike në Kosovë për t’i informuar mbi veprimet e mëtutjeshme dhe obligimet që do t’i ketë Kosova në kuadër të Bordit të Paqes.
Kosova një ditë më parë u bë një nga 19 shtetet themeluese të organizatës së re ndërkombëtare, të udhëhequr nga presidenti amerikan Donald Trump. Bordi i Paqes synon mbikëqyrjen e zbatimit të planeve të paqes në zonat e konfliktit, duke u fokusuar fillimisht në Rripin e Gazës.
Në emisionin “60 Minuta” në KTV, Kadaj-Bujupi tha se presidentja Osmani është e njoftuar në detaje mbi projektin, por informacionet do të bëhen publike pas njoftimit të detajeve nga Shtëpia e Bardhë.
“Ajo që dihet brendapërbrenda është se shumë shpejt presidentja do t’i ftojë të gjitha liderët e partive politike për t’i njoftuar për veprimet e mëtutjeshme dhe obligimet që do t’i ketë Kosova. E përsëris, s’ka delegim të sovranitetit e asnjë kosto financiare në kuptim të tarifave apo pagesave të ndryshme,” tha ajo.
Kadaj-Bujupi e ka cilësuar nënshkrimin në këtë kartë si një prej vendimeve kryesore të Kosovës pas pavarësisë dhe Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Sipas saj, përfshirja në këtë bord fuqizon ndërkombëtarisht Kosovën dhe rrit rëndësinë e saj përballë shteteve që nuk e njohin.
Ajo gjithashtu shtoi se një avantazh i Bordit të Paqes, në dallim nga Kombet e Bashkuara, është se Rusia dhe Kina nuk kanë të drejtën e vetos, gjë që e bën Kosovën pjesë të një platforme më efikase për promovimin e paqes dhe stabilitetit.
Pjesëmarrja e Kosovës në Bord të Paqes nën drejtimin e Donald Trump është një hap strategjik për rritjen e fuqisë ndërkombëtare të vendit, duke rritur legjitimitetin politik dhe duke shmangur çdo humbje sovraniteti. Ftesa që do t’u bëhet liderëve politikë tregon një përpjekje për koordinim të brendshëm para implementimit të detajeve ndërkombëtare.
