Në kuadër të takimit të dytë të Platformës së Paqes për Ballkanin në Stamboll, Ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, zhvilloi një takim bilateral me Ministrin e Punëve të Jashtme të Turqisë, Hakan Fidan. Takimi u zhvillua pas ftesës së Ministrit Fidan dhe shërbeu si mundësi për të thelluar marrëdhëniet ndërmjet dy shteteve.
Gjatë takimit, Ministrja Gërvalla theksoi: “Republika e Kosovës, përmes angazhimit të saj në këtë platformë, riafirmon orientimin strategjik drejt integrimit euroatlantik, përfshirë anëtarësimin në Bashkimin Evropian dhe NATO, si dhe përkushtimin ndaj paqes së qëndrueshme, fqinjësisë së mirë dhe stabilitetit rajonal.”
Ajo gjithashtu nënvizoi rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë në fushën e sigurisë dhe përpjekjet e përbashkëta për një rajon më të sigurt.
Ministrja Gërvalla falënderoi Ministrin Fidan për mikpritjen dhe ftesën, duke theksuar: “Ritheksoj marrëdhëniet e shkëlqyera dhe partneritetin e qëndrueshëm ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Turqisë, si dhe rolin e saj në avancimin e dialogut, paqes dhe stabilitetit në rajon dhe më gjerë.”
Ky takim tregon përkushtimin e Kosovës për të forcuar partneritetet strategjike dhe për të kontribuar në paqen dhe sigurinë rajonale, duke ruajtur bashkëpunimin me aleatët kryesorë në rajon dhe më gjerë.
