Prishtinë – Shërbimi Korrektues i Kosovës ka reaguar ndaj informacioneve që po qarkullojnë në disa media lidhur me mungesën e kapaciteteve në institucionet korrektuese, duke i cilësuar ato si të pasakta.
Sipas njoftimit zyrtar, aktualisht në institucionet korrektuese të Kosovës janë në mbajtje gjithsej 1 758 të burgosur, ndërsa kapacitetet e lira arrijnë rreth 800 shtretër, çka dëshmon se nuk ekziston mungesë hapësire për pranimin e rasteve të reja.
“Pretendimet për mungesë kapacitetesh nuk qëndrojnë, pasi institucionet korrektuese kanë hapësira të mjaftueshme për akomodimin e të burgosurve,” thuhet në njoftimin e Shërbimit Korrektues të Kosovës.
Ky sqarim është bërë me qëllim të informimit të saktë të opinionit publik dhe parandalimit të keqinformimit, duke theksuar se gjendja aktuale është nën kontroll.
Po ashtu, në njoftim rikujtohet se Shërbimi Korrektues i Kosovës dhe Policia e Republikës së Kosovës kanë një marrëveshje mirëkuptimi për bashkëveprim institucional, e cila mundëson shfrytëzimin e përkohshëm të objekteve të njëra-tjetrës, varësisht nga situatat e krijuara.
Autoritetet theksojnë se ky bashkëpunim garanton fleksibilitet institucional dhe menaxhim efikas të rasteve, duke siguruar funksionimin normal të sistemit korrektues në vend.

