Tensione dhe përplasje janë shënuar këtë të shtunë gjatë protestës së opozitës përpara Kryeministrisë dhe Kuvendit të Shqipërisë.
Si pasojë e sulmeve me molotov dhe sende të forta, 11 punonjës të Policisë së Shtetit kanë mbetur të lënduar dhe po marrin ndihmë mjekësore. Burime zyrtare bëjnë me dije se protestuesit kanë hedhur mjete shpërthyese artizanale dhe objekte të forta në drejtim të forcave të rendit, duke shkaktuar lëndime dhe dëme materiale në perimetrin e sigurisë.
Grupet hetimore kanë nisur dokumentimin ligjor të akteve të dhunës, ndërsa policia njofton se janë identifikuar disa persona të përfshirë në sulme dhe vijon puna për shoqërimin e tyre në ambientet e Policisë.
Situata u vu nën kontroll pas ndërhyrjes së forcave të rendit, ndërsa autoritetet paralajmërojnë se çdo akt dhune do të trajtohet me masa ligjore.
