Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi se mbrëmjen e djeshme qytetarët triumfuan në rrugët dhe sheshet e Tiranës.
Komentet i bëri gjatë një konference për mediat, ku theksoi se protesta nuk lidhej me ndërtesat e Qeverisë apo Kuvendit, por me keq-qeverisjen e kryeministrit Edi Rama, raporton A2 CNN.
Berisha e cilësoi tubimin si një shfaqje të ndërgjegjes qytetare dhe theksoi se “lufta” e opozitës do të vazhdojë deri në rrëzimin e qeverisë Rama.
Pjesë nga fjala e Berishës:
Mirëdita! Të dashur qytetarë dhe qytetare. Dje, për tre orë, kryengritësit guximtarë morën në dorë Tiranën, bulevardin dhe sheshet e saj.
Një protestë e fuqishme, me qindra mijëra qytetarë nga Tirana dhe gjithë Shqipëria, u përball me guxim të jashtëzakonshëm për më shumë se tre orë me strukturat e krimit të regjimit të narkopolitikës së Edi Ramës.
Nderim i madh të gjithë atyre qytetarëve, të rinj dhe të moshuar, djem dhe vajza, burra dhe gra, që protestuan me vendosmëri kundër rilindjes së kalbësirës dhe organizatës kriminale të Edi Ramës.
Protesta nuk kishte lidhje me ndërtesat apo institucionet kushtetuese. Zemërimi i qytetarëve shqiptarë dje dhe sot në të katër anët e vendit dhe në diasporë lidhet vetëm me Ramaduron, me vjedhjet qindra milionëshe dhe miliarda euro, me lidhjet e tij me krimin e organizuar dhe kartelët e drogës.
Lidhet me Lubi Ballukun, Lindat e Ramës, AKSHI-në, Surrelin, Ergys Agasin dhe qeveritarët e tjerë hajdutë.
Regjimi u trondit thellë dje. Qytetarët triumfuan në rrugë dhe sheshet e Tiranës, duke u bërë zëri i ndërgjegjes së njerëzve të ndershëm, që nuk pranojnë një qeveri të lidhur me drogën dhe krimin.
Ata nuk pranojnë një qeveri që nuk buron nga vullneti i qytetarëve, por nga një farsë elektorale, që vjedh 97% të taksave dhe pasuritë publike.
Dje, qytetarët ishin vetë ndërgjegja e kombit në betejë. Ata dërguan mesazh se lufta nuk është për Sali Berishën, as për Partinë Demokratike, por për ndërgjegjen, dinjitetin njerëzor dhe interesin kombëtar.
Luftojmë për çdo shqiptar, qoftë ai që na ndjek në televizione, qoftë ai që nuk i pëlqen protesta. Kjo është veçantia e kësaj proteste: është protesta e ndërgjegjes, e pathyeshme dhe e pamposhtur.
