TikToku ka arritur një marrëveshje për krijimin e një sipërmarrjeje të përbashkët në Shtetet e Bashkuara, me pronësi kryesisht amerikane, me qëllim të shmangies së një ndalimi të mundshëm të aplikacionit në tregun amerikan.
Kompania mëmë kineze, ByteDance, konfirmoi gjatë fundjavës se marrëveshja do të sigurojë mbrojtjen e të dhënave të përdoruesve amerikanë përmes masave të avancuara të privatësisë dhe sigurisë kibernetike, raportoi Reuters të dielën.
Ky hap përbën një moment kyç për TikTokun pas viteve të tensioneve me autoritetet amerikane, të cilat nisën në gusht 2020, kur presidenti Donald Trump tentoi të ndalonte aplikacionin për arsye të sigurisë kombëtare.
Sipas marrëveshjes, sipërmarrja e re “TikTok USDS Joint Venture LLC” do të ketë 80.1% të aksioneve në pronësi të investitorëve amerikanë dhe globalë, ndërsa ByteDance do të mbajë 19.9%. Tre investitorët kryesorë menaxhues — gjiganti cloud Oracle, fondi i kapitalit privat Silver Lake dhe firma investuese MGX nga Abu Dhabi — do të zotërojnë secili nga 15% të aksioneve.
Presidenti Trump përshëndeti marrëveshjen në rrjetet sociale, duke theksuar se TikToku “tani do të udhëhiqet nga një grup patriotësh dhe investitorësh amerikanë të mëdhenj” dhe falënderoi presidentin kinez Xi Jinping për miratimin e saj.
Sipërmarrja e re do të menaxhojë të dhënat e përdoruesve amerikanë, aplikacionin dhe algoritmin e rekomandimeve. Algoritmi do të ritestohet dhe përditësohet duke përdorur të dhëna amerikane dhe do të ruhet në cloud-in amerikan të Oracle.
