Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) ka reaguar ashpër ndaj protestave të kompanive transportuese në shtetet e rajonit, duke paralajmëruar për pasoja të mëdha për funksionimin normal të bizneseve kosovare dhe për rrjedhën e tregtisë ndërkombëtare.
Sipas një komunikate zyrtare, këto protesta tashmë kanë ndikuar drejtpërdrejt në pamundësimin e eksportit dhe importit të mallrave drejt dhe nga vendet e Bashkimit Evropian, duke krijuar vonesa të konsiderueshme në kufij, kosto shtesë për kompanitë dhe rrezik real për ndërprerjen e zinxhirit të furnizimit.
OEK vlerëson se situata aktuale po dëmton rëndë sektorin privat në Kosovë, veçanërisht kompanitë prodhuese dhe eksportuese, të cilat varen nga qarkullimi i rregullt i mallrave në tregjet evropiane.
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, njëkohësisht Kryesues i Bordit të WB6 CIF, ka adresuar këtë problem në mënyrë të vazhdueshme në komunikimet me institucionet e Bashkimit Evropian, duke kërkuar një zgjidhje të qëndrueshme dhe sistemike.
Sipas OEK, Rafuna ka theksuar se bllokimi i transportit rrugor ndërkombëtar rrezikon seriozisht funksionimin e lirë të tregtisë dhe stabilitetin e zinxhirëve të furnizimit midis Bashkimit Evropian dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor.
“Oda Ekonomike e Kosovës i bën thirrje Bashkimit Evropian për ndërhyrje urgjente institucionale, e cila do të mundësonte funksionimin normal të transportit ndërkombëtar rrugor deri në krijimin e një zgjidhjeje të përhershme”, thuhet në reagimin e OEK.
Sipas komunikatës, një qasje e tillë është në interes të përbashkët të ekonomive të Bashkimit Evropian dhe të Ballkanit Perëndimor dhe përbën një parakusht për stabilitet ekonomik, integrim tregtar dhe zhvillim të qëndrueshëm rajonal.
Oda Ekonomike e Kosovës ka ritheksuar angazhimin e saj për të mbrojtur interesat e komunitetit të biznesit dhe për të kontribuar në dialogun institucional me partnerët evropianë, në funksion të garantimit të një tregtie të lirë, të sigurt dhe funksionale.
Shqetësim të ngjashëm ka shprehur edhe Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë (DHTIK), e cila ka reaguar ndaj protestave që po mbahen në shtetet fqinje nga kompanitë transportuese.
Sipas DHTIK, këto protesta kanë shkaktuar probleme serioze për kompanitë kosovare, pasi shumë prej tyre aktualisht nuk po arrijnë as të eksportojnë dhe as të importojnë mallra nga vendet e Evropës.
“Shumë kompani po përballen me bllokim të plotë të qarkullimit të mallrave, çka rrezikon kontratat ekzistuese dhe stabilitetin financiar të tyre”, thuhet në reagimin e DHTIK.
Ndërkohë, sot është mbajtur një protestë e transportuesve të mallrave në Maqedoninë e Veriut, konkretisht në pikën kufitare me Kosovën.
Sipas informatave nga Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar, lëvizja e kamionëve është e bllokuar në të dy anët e kufirit, duke krijuar kolona të gjata dhe vonesa të mëdha për transportin ndërkombëtar.
Autoritetet kosovare janë duke monitoruar situatën, ndërsa komuniteti i biznesit kërkon zgjidhje të shpejtë për të shmangur dëme afatgjata në ekonomi.
