Një person është gjetur pa shenja jete sot pasdite në një automjet në zonën e Veternikut, në Prishtinë.
Rastin e ka konfirmuar Policia e Kosovës, e cila ka bërë të ditur se njësitë policore dhe ekipi mjekësor kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes pas pranimit të informatës.
Sipas Policisë, rreth orës 15:00 është raportuar se një person gjendej pa shenja jete brenda një veture. Ekipi mjekësor ka konstatuar vdekjen e viktimës, një mashkull, në vendin e ngjarjes.
“Policia, në koordinim me Prokurorin e Shtetit, ka nisur hetimet lidhur me rastin dhe po ndërmerren të gjitha veprimet e nevojshme hetimore dhe ekzaminuese për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes”, ka deklaruar zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prishtinës, Enis Pllana.
Ndërkohë, sipas informacioneve nga burime mediale, dyshohet se rasti mund të lidhet me vetëlëndim, megjithatë autoritetet nuk kanë konfirmuar ende zyrtarisht rrethanat dhe motivet e ngjarjes.
Policia ka bërë të ditur se hetimet janë në vazhdim dhe se detaje të tjera do të bëhen publike pas përfundimit të procedurave hetimore.
