Instituti GAP ka publikuar një analizë të shkurtër me titull “Kush ndikohet nga rritja e pagës minimale në vitin 2026?”, e cila trajton ndikimin ekonomik të vendimit të Qeverisë së Kosovës për rritjen graduale të pagës minimale gjatë vitit 2026.
Sipas analizës, rritja e pagës minimale në dy faza gjatë vitit 2026 do t’u shkaktojë bizneseve një kosto shtesë prej mbi 85 milionë eurosh, që përfaqëson rreth 2% të faturës totale të pagave në ekonomi. Nga kjo masë pritet të përfitojnë drejtpërdrejt më shumë se 130 mijë punëtorë me orar të plotë, apo rreth 36% e të gjithë të punësuarve me orar të plotë në Kosovë. Përveç tyre, ndikim do të kenë edhe punëtorët me orar të pjesshëm.
Analiza vëren se sektorët më të prekur nga rritja e pagës minimale janë industria e ushqimit dhe pijeve, tregtia me pakicë dhe sektorë të tjerë ku përqendrimi i punëtorëve me paga të ulëta është më i lartë.
Sa i përket profilit të përfituesve, GAP thekson se mosha mesatare e punëtorëve që përfitojnë është 37 vjeç, duke treguar se përfituesit kryesorë janë punëtorët e moshës së mesme. Nga aspekti gjinor, burrat përbëjnë shumicën e përfituesve, me 59% në fazën e parë dhe 56% në fazën e dytë, ndërsa gratë përfaqësojnë 41% dhe 44% të përfituesve.
Në aspektin e ndikimit në punësim, analiza ekonometrike e GAP nuk gjen evidencë për një efekt të ndjeshëm negativ. Megjithatë, sipas literaturës ndërkombëtare, ekzistojnë rreziqe potenciale për të rinjtë dhe punëtorët me më pak shkathtësi, pasi rritja e pagës minimale mund të rrisë barrierat për hyrje në tregun e punës për këto kategori.
Instituti GAP rekomandon që vendimet për rritjen e mëtejshme të pagës minimale të shoqërohen me analiza më të thelluara ekonomike, të bazuara në anketa të përditësuara. Këto do të mundësonin një vlerësim më të saktë të efektit në punësim, cilësinë e kushteve të punës, rritjen e kontratave me orar të pjesshëm dhe ndikimin në çmime. Po ashtu, GAP rekomandon konsultime të gjera me bizneset, veçanërisht në sektorët me numrin më të madh të punëtorëve me pagë minimale.
