Dogana e Kosovës ka nisur një aksion kontrolli në disa barnatore në Pejë dhe Gjakovë, me fokus parandalimin e tregtimit të barnave pa dokumentacion të rregullt doganor.
Sipas burimeve të mediave, zyrtarët doganorë janë duke kryer bastisje në gjashtë barnatore në Pejë, ku dyshohet për posedim të mallrave pa dokumente të rregullta. Po ashtu, një barnatore në Gjakovë është gjithashtu pjesë e këtij aksioni, ku janë identifikuar mallra të dyshuara si kontrabandë.
Kontrollet janë ende në zhvillim e sipër, ndërsa Dogana e Kosovës pritet të publikojë një njoftim zyrtar pas përfundimit të aksionit. Ky njoftim do të përfshijë sasinë e mallrave të sekuestruara dhe masat që do të merren ndaj subjekteve të përfshira.
Ky aksion vjen në kuadër të përpjekjeve të Doganës për të mbrojtur tregun dhe për të siguruar që barnat të shiten vetëm me dokumentacion të rregullt, duke shmangur rrezikun për konsumatorët.
