Prishtinë – Institucionet e Kosovës dhe qytetarë të shumtë kanë bërë sot homazhe në nderim të Zahir Pajazitit, Hakif Zejnullahut dhe Edmond Hoxhës, në 29-vjetorin e rënies së tyre. Treshja heroike konsiderohet ndër pararendësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe figurat themeltare të rezistencës së armatosur për liri.
Kryeministri Albin Kurti, Presidentja Vjosa Osmani, nënkryetarja e Kuvendit Albulena Haxhiu, ministra, deputetë, veprimtarë të çështjes kombëtare, ish-luftëtarë dhe ish-të burgosur politikë vendosën lule të freskëta te shtatorja e Heroit të Kombit, Zahir Pajaziti, në sheshin që mban emrin e tij në Prishtinë.
Duke folur para mediave, Kryeministri Kurti vlerësoi veprimtarinë dhe rolin vendimtar të Zahir Pajazitit dhe bashkëveprimtarëve të tij në rritjen e rezistencës së armatosur dhe konsolidimin e UÇK-së. Ai theksoi se rënia e tyre në janar të vitit 1997 i dha hov të madh vetëbesimit popullor dhe shtimit të radhëve të luftës për liri, duke lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e Kosovës.
Edhe nënkryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, theksoi se Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu dhe Edmond Hoxha janë figura kyçe të rezistencës së hershme, sakrifica e të cilëve i dha drejtim të qartë dhe të fuqishëm luftës çlirimtare. Sipas saj, kontributi i tyre mbetet pjesë e themeleve mbi të cilat qëndron sot Republika e Kosovës.
Homazhet vazhduan edhe në lokacione të tjera përkujtimore, përfshirë Kullën e Zahir Pajazitit në Orllan, Kompleksin “Hakif Zejnullahu” në Lladoc, Bulevardin “4 Dëshmorët” në Podujevë, ndërsa aktivitetet përkujtimore u përmbyllën me Akademinë Përkujtimore “Trinomi i Janarit”, e mbajtur në teatrin “Avdush Hasani” në Podujevë.
Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu dhe Edmond Hoxha ranë më 31 janar 1997, pasi grupi i tyre u zbulua nga forcat serbe dhe iu bë pritë në fshatin Pestovë, teksa po udhëtonin nga Prishtina drejt Vushtrrisë. Përkujtimi i tyre mbetet simbol i sakrificës dhe përkushtimit për lirinë e Kosovës.
