Tuesday, April 21, 2026
HomeLajmeFikrim Damka pritet të intervistohet për dyshime manipulimi të votave

Fikrim Damka pritet të intervistohet për dyshime manipulimi të votave

Koordinatorja nacionale e zgjedhjeve në Prokurorinë e Shtetit, Laura Pula, ka folur për dyshimet për manipulime të votave në zgjedhjet e 28 dhjetorit. Ajo i ka cilësuar këto manipulime si të papritura dhe të jashtëzakonshme, duke theksuar se me vite nuk ka ndodhur një situatë e tillë në procesin zgjedhor.

Pula u ndal veçanërisht te rasti i deputetit Fikrim Damka nga partia e turqve KDTP, i cili, pas rinumërimit të votave, humbi mandatin e deputetit. Koordinatorja nacionale e zgjedhjeve tha se Damka duhet të intervistohet në lidhje me dyshimet për manipulim të votave.

“Me siguri që po, duhet të intervistohet. Ky është i vetmi rast ku një deputet ka humbur mandatin pas zgjedhjeve të fundit,” tha Pula në emisionin Info Magazine të Klan Kosovës. Ajo shtoi se pavarësisht disa tentativave për rritje të numrit të votave nga kandidatë të tjerë, nuk ka pasur mandate të humbura për deputetë të tjerë.

Koordinatorja kujtoi gjithashtu historikun e saj në mbikëqyrjen e zgjedhjeve, duke shpjeguar se që nga viti 2013 ka monitoruar procesin zgjedhor në nivel vendi dhe ka kontribuar në përmirësimin e sistemit për të mbrojtur votën e qytetarit. “Të gjitha institucionet relevante, duke filluar nga KQZ-ja, Policia e Kosovës, Këshilli Gjyqësor, dhe sistemi prokurorial kanë bashkëpunuar për të siguruar një proces të drejtë,” tha Pula.

Ajo theksoi se rastet e manipulimit në zgjedhjet e 28 dhjetorit ishin të papritura dhe për këtë arsye janë marrë masa për hetim të plotë. “Të jemi të qartë, kjo është çështje ekskluzive e Kryeprokurorit të Prokurorisë përkatëse, i cili do të vendosë për vijimin e hetimit deri në fund,” përfundoi Pula.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments