Friday, April 17, 2026
HomeLajmeShtëpia e dytë” për gazetarët ukrainas: Gërvalla flet për mbështetjen e Kosovës...

Shtëpia e dytë” për gazetarët ukrainas: Gërvalla flet për mbështetjen e Kosovës dhe një përvojë të përbashkët lufte

Prishtinë – Zëvendëskryeministrja dhe ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka pritur sot në takim një grup gazetarësh nga Ukraina, të cilët po qëndrojnë në Kosovë në kuadër të projektit “Gazetarë në Rezidencë”, një program i mbështetur dhe financuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës përmes MPJD-së.

Gjatë takimit, ministrja Gërvalla u shpreh e kënaqur me mbështetjen institucionale që Kosova i ka dhënë këtij projekti, duke theksuar se ai u ka ofruar gazetarëve ukrainas siguri dhe mbrojtje, si dhe mundësinë për të vazhduar punën e tyre profesionale në kushte të qëndrueshme.

Ajo vlerësoi lart përkushtimin dhe qëndrueshmërinë profesionale të gazetarëve, duke theksuar se mbrojtja e fjalës së lirë është një element thelbësor i mbrojtjes së vetë lirisë. Sipas saj, Kosova mbetet një ambient mikpritës dhe një shtëpi e dytë për gazetarët ukrainas, duke çmuar kontributin e tyre në informimin e pavarur dhe të besueshëm.

Ministrja Gërvalla rikonfirmoi gjithashtu qëndrimin e palëkundur të Republikës së Kosovës në mbështetje të Ukrainës në përpjekjet e saj për paqe, liri dhe demokraci. Ajo theksoi se solidariteti i Kosovës me Ukrainën buron nga përvoja e përbashkët historike dhe nga bindja se fjala e lirë dhe e drejta për të jetuar i lirë janë vlera të panegociueshme.

Duke bërë një paralele mes historisë së luftës në Kosovë dhe asaj të Ukrainës, Gërvalla u shpreh se Kosova qëndron gjithmonë përkrah popujve që mbrojnë tokën dhe sovranitetin e tyre. Ajo shtoi se gazetarët ukrainas, të cilët po hyjnë në vitin e katërt të qëndrimit të tyre në Kosovë, janë tashmë pjesë e realitetit dhe jetës institucionale të vendit.

Në takim morën pjesë edhe kryetari i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK), Xhemajl Rexha, si dhe Flutura Kusari nga Qendra Evropiane për Lirinë e Shtypit dhe Medias (ECPMF), organizata që kanë implementuar programin “Gazetarë në Rezidencë”.

Ata shprehën mirënjohje ndaj Ministrisë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës për mbështetjen e vazhdueshme gjatë katër viteve të zbatimit të programit, duke e cilësuar atë si një nga iniciativat më kredibile të këtij lloji në rajon dhe më gjerë.

Sipas të dhënave zyrtare, që nga viti 2022 Kosova ka pranuar gjithsej 19 gazetarë nga Ukraina në kuadër të këtij projekti. Nëntë prej tyre janë kthyer në vendin e tyre, ndërsa aktualisht në Kosovë vazhdojnë qëndrimin 10 gazetarë.

Programi “Gazetarë në Rezidencë” e pozicionon Kosovën si një aktor aktiv në mbrojtjen e lirisë së medias dhe solidaritetit ndërkombëtar. Përtej aspektit humanitar, ky projekt përforcon imazhin e Kosovës si vend që mbështet vlerat demokratike dhe fjalën e lirë, duke ndërtuar ura bashkëpunimi me gazetarë nga zona konflikti dhe duke rritur kredibilitetin e saj në arenën ndërkombëtare.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments