Procesi më i madh gjyqësor i zhvilluar ndonjëherë në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë po shkon drejt përfundimit. Javën e ardhshme, gjykimi hyn në fazën e fjalës përfundimtare të palëve, një etapë vendimtare ku secila palë do të paraqesë argumentet e saj përfundimtare para trupit gjykues.
Sipas kalendarit zyrtar, nga 9 deri më 18 shkurt do të mbahen seanca të rëndësishme ku fillimisht do të flasë Prokuroria, pasuar nga përfaqësuesit e viktimave, mbrojtja dhe në fund edhe fjalimet personale të katër të akuzuarve: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.
Kjo fazë shihet si momenti final i një procesi që ka zgjatur më shumë se pesë vjet, me seanca të gjata, dhjetëra dëshmitarë dhe debat të vazhdueshëm publik mbi drejtësinë dhe standardet e përdorura në këtë gjykim.
Bashkëluftëtarë dhe përfaqësues të organizatave të dala nga lufta shprehen optimistë për një epilog pozitiv. Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati, ka deklaruar se mbrojtja ka qenë e fuqishme dhe bindëse gjatë gjithë procesit, pavarësisht, siç e quan ai, një gjykim të padrejtë.
Ai thekson se fjala përfundimtare e mbrojtjes pritet të rrëzojë të gjitha pikat e aktakuzës dhe se verdikti mund të vijë brenda këtij viti, madje para muajit maj. Gucati nënvizon se edhe pse koha e caktuar për fjalimet e të akuzuarve është e kufizuar, rëndësia e mesazhit mbetet thelbësore.
Edhe monitoruesit e pavarur të procesit vlerësojnë se fundi i gjykimit është afër dhe se, bazuar në dëshmitë e paraqitura nga mbrojtja, lirimi i katërshes do të ishte vendim i drejtë. Drejtori ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Ehat Miftaraj, ka theksuar se aktakuza është shfaqur e dobët dhe se prokuroria nuk ka arritur të paraqesë dëshmi bindëse.
Sipas tij, dëshmitarët e mbrojtjes kanë qenë më kredibilë dhe më të informuar për rrethanat historike dhe institucionale të kohës për të cilën bëhet fjalë në proces. Kjo, sipas Miftarajt, e bën të pritshëm një epilog që do të mbyllë një kapitull të gjatë dhe të ndjeshëm për Kosovën.
Njohësit e ligjit ndajnë mendim të ngjashëm. Avokati Ardian Bajraktari vlerëson se prokuroria nuk ka arritur të dëshmojë elementet thelbësore të aktakuzës, veçanërisht sa i përket zinxhirit të hierarkisë komanduese.
Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi ndodhen në paraburgim në Hagë për më shumë se pesë vjet, ndërsa procesi gjyqësor ndaj tyre ka nisur zyrtarisht në prill të vitit 2023. Faza e fjalëve përfundimtare pritet të jetë vendimtare për fatin e këtij procesi historik.
