Gara për “Këpucën e Artë” europiane po bëhet gjithnjë e më e fortë, me yjet më të mëdhenj të futbollit që vazhdojnë të luftojnë për kreun. Aktualisht, Harry Kane i Bayern Munich dhe Kylian Mbappé i Real Madridit ndajnë vendin e parë, secili me 44 pikë, falë 22 golave të realizuar në kampionatet e tyre respektive, sipas albinfo.ch.
Pas tyre vjen Erling Haaland i Manchester Cityt, me 40 pikë, një pretendent serioz për podiumin. Por vëmendjen e ka tërhequr edhe Vedat Muriqi, sulmuesi i Kombëtares së Kosovës dhe Mallorca-s, i cili po kalon një sezon fantastik dhe renditet aktualisht në top-5 golashënuesve më të mirë në Evropë, me 30 pikë.
Lista e përditësuar e top-5 përfshin gjithashtu sulmuesin Igor Thiago të Brentford, me 32 pikë, ndërsa kapiteni i Interit, Lautaro Martinez, vazhdon të ketë paraqitje të mirë me 26 pikë, duke u renditur në pozicionin e 13-të.
Çmimi “Këpuca e Artë” llogaritet mbi bazën e golave të shënuar gjatë sezonit, të shumëzuar me koeficientin e kampionatit sipas renditjes së UEFA-s. Golat e realizuar në pesë ligat më të forta – Angli, Itali, Spanjë, Gjermani dhe Francë – vlejnë 2 pikë, ndërsa golat në ligat e tjera të renditura nga vendi i gjashtë deri në të njëzetedytin vlejnë 1.5 pikë. Ligat e tjera vlerësohen me 1 pikë për gol.
Top-5 aktuale – Këpuca e Artë:
- Harry Kane (Bayern Munich) – 44 pikë
- Kylian Mbappé (Real Madrid) – 44 pikë
- Erling Haaland (Manchester City) – 40 pikë
- Igor Thiago (Brentford) – 32 pikë
- Vedat Muriqi (Mallorca) – 30 pikë
Performanca e Vedat Muriqit tregon se Kosova po prodhon futbollistë që rivalizojnë me emrat më të mëdhenj europianë. Pozicioni i tij në top-5 është dëshmi e një sezoni të suksesshëm dhe e mundësisë reale për të synuar podiumin e “Këpucës së Artë” nëse vazhdon ritmi i golave.
