Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK) kanë konfirmuar zyrtarisht se janë dërguar të gjitha njoftimet për personat që do të ndjekin nga afër seancat e deklaratave përmbyllëse në procesin gjyqësor ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Seancat janë planifikuar të mbahen në periudhën 9–13 shkurt, në objektin e DHSK-së, ndërsa interesimi i publikut ka qenë dukshëm më i lartë se kapacitetet e disponueshme.
Sipas njoftimit zyrtar, vendet në galerinë për publikun kanë qenë të kufizuara, çka ka bërë që jo të gjithë aplikuesit të mund të marrin pjesë fizikisht në këto seanca të rëndësishme. Specialja thekson se është bërë përpjekje maksimale për t’iu përgjigjur sa më shumë kërkesave, por kapaciteti i sallës nuk ka lejuar akomodimin e të gjithëve.
“Nëse nuk keni marrë një email konfirmues, fatkeqësisht nuk kishte vende të mjaftueshme për t’iu përgjigjur pozitivisht kërkesës suaj”, thuhet në njoftimin e DHSK-së.
Këto seanca përfaqësojnë një moment kyç në procesin gjyqësor, pasi palët do të paraqesin deklaratat përfundimtare përpara trupit gjykues. Vëmendja publike dhe mediatike pritet të mbetet e lartë gjatë gjithë javës së seancave.
