Friday, September 18, 2026
HomeEkonomiBiznesU zgjuan milionerë për pak minuta – një gabim teknik trondit tregun...

U zgjuan milionerë për pak minuta – një gabim teknik trondit tregun e kriptomonedhave

Një incident i pazakontë dhe i paprecedentë ka tronditur tregun e kriptomonedhave në Korenë e Jugut, duke i kthyer për pak minuta qindra përdorues në “miliarderë virtualë”. Një nga platformat më të mëdha të tregtimit të kriptomonedhave në vend, Bithumb, shpërndau gabimisht mbi 40 miliardë dollarë në bitcoin tek klientët e saj, për shkak të një defekti teknik gjatë një operacioni rutinë shpërblimi.

Sipas njoftimit zyrtar të kompanisë, Bithumb kishte planifikuar t’u jepte përdoruesve një shpërblim simbolik prej 2.000 ëonësh koreane (rreth 1,37 dollarë amerikanë). Megjithatë, për shkak të një gabimi në sistem, në vend të shumës monetare u transferuan 2.000 bitcoin për secilin klient të prekur – një vlerë që në treg arrin shifra marramendëse.

Incidenti ndodhi të premten dhe përfshiu 695 klientë, të cilët për një periudhë shumë të shkurtër panë në llogaritë e tyre shuma që i kalonin kufijtë e imagjinatës. Platforma reagoi me shpejtësi, duke bllokuar tregtimin dhe tërheqjen e fondeve brenda 35 minutash nga momenti kur u identifikua defekti teknik.

Në një deklaratë publike, Bithumb bëri të ditur se kishte arritur të rikuperojë 99,7% të rreth 620 mijë bitcoinëve të shpërndarë gabimisht. Kompania theksoi se incidenti nuk kishte lidhje me ndonjë sulm kibernetik, shkelje sigurie apo ndërhyrje të jashtme, duke garantuar se asetet e klientëve dhe siguria e sistemit nuk janë vënë në rrezik.

“Ky ishte një gabim i brendshëm teknik dhe jo një problem sigurie. Nuk ka pasur asnjë komprometim të sistemit apo të fondeve të klientëve,” deklaroi kompania në njoftimin e saj zyrtar.

Ngjarja ka tërhequr vëmendjen e autoriteteve shtetërore. Autoriteti financiar rregullator i Koresë së Jugut njoftoi se ka nisur një hetim paraprak për të analizuar rrethanat e incidentit. Çdo shenjë e aktivitetit të paligjshëm, sipas rregullatorëve, do të çojë në hetime të plota nga Shërbimi i Mbikëqyrjes Financiare (FSS).

Drejtori ekzekutiv i Bithumb, Lee Jae-won, deklaroi se kompania do të bashkëpunojë plotësisht me institucionet rregullatore dhe se ky incident do të shërbejë si një “mësim i fortë” për të ardhmen. Ai theksoi se prioriteti i kompanisë do të jetë besimi dhe qetësia e klientëve, mbi çdo objektiv tjetër të rritjes.

Si masë kompensimi, Bithumb njoftoi se do t’u paguajë 20.000 ëonë (rreth 13,66 dollarë) të gjithë përdoruesve që ishin aktivë në platformë në momentin e incidentit. Po ashtu, kompania do të heqë tarifat e tregtimit për një periudhë të caktuar dhe do të përmirësojë sistemet e kontrollit të brendshëm.

Në planin afatgjatë, Bithumb synon të përdorë inteligjencë artificiale për të zbuluar dhe parandaluar transaksione anormale, në mënyrë që raste të tilla të mos përsëriten.

Ky incident pritet të rihapë debatin global mbi kontrollet rregullatore në sektorin financiar dhe atë të kriptomonedhave, veçanërisht në një kohë kur automatizimi dhe teknologjia po marrin rol gjithnjë e më të madh në menaxhimin e aseteve.

Ngjarje të ngjashme janë regjistruar edhe më parë. Në prill të vitit 2024, banka amerikane Citigroup kreditoi gabimisht 81 trilionë dollarë në llogarinë e një klienti, për shkak të një gabimi njerëzor – një transaksion që u anulua disa orë më vonë.

Burimi: Reuters

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments