Gazetari Berat Buzhala ka deklaruar në emisionin Pressing të T7 se, sipas burimeve të tij, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka lobuar që të zgjidhet president i Kosovës.
“Siç kam dëgjuar unë prej burimeve të Vetëvendosjes, Lumiri ka lobuar për t’u bërë president. T’i jap votat, nëse më bëni mua president,” ka thënë Buzhala, duke i dhënë një pasqyrë të lëvizjeve të brendshme politike brenda partive.
Ai gjithashtu ka komentuar qëndrimin e PDK-së, e cila sipas tij ka theksuar se do të mbështesë për president vetëm një kandidat nga familja Jashari. “PDK-ja ka thënë qartë: ne vetëm dikë nga Jasharët e votojmë për president, askënd tjetër,” shtoi gazetari.
Buzhala ka folur edhe për deklaratat e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, në lidhje me presidenten aktuale, Vjosa Osmani, duke thënë se ato përbëjnë një mesazh për PDK-në që ta mbështesë Osmanin për një mandat tjetër.
Deklaratat e Buzhalës nënvizojnë tensionet dhe lëvizjet politike në skenën e Kosovës, ku negociatat dhe lobimet brenda partive vazhdojnë të jenë intensive.
