Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka uruar qytetarët me rastin e 18-vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës, duke theksuar se vendi po shënon rritje të vazhdueshme në shumë fusha të rëndësishme.
Në mesazhin e tij, Kurti u shpreh se Kosova po rritet jo vetëm në vite si shtet i pavarur, por edhe në numrin e njohjeve ndërkombëtare, në zhvillimin ekonomik, në mirëqenien e qytetarëve dhe në fuqinë e shtetit. Ai vlerësoi se këto arritje janë rezultat i përpjekjeve dhe sakrificave të gjata të popullit të Kosovës.
Kryeministri kujtoi se Pavarësia e Kosovës, e shpallur 18 vjet më parë, nuk ishte një akt i rastësishëm, por fryt i kontributit të shumë brezave, të cilët me përkushtim dhe sakrificë luftuan për liri, demokraci dhe sovranitet shtetëror.
Ai theksoi se përvjetori i Pavarësisë është një ditë feste, por edhe një moment nderimi për rezistencën paqësore dhe kryengritjet e armatosura që i paraprinë lirisë, duke veçuar luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës si kulmin e përpjekjeve për çlirim.
Në fund të mesazhit, Kurti uroi qytetarët duke shprehur dëshirën që Pavarësia e Kosovës të festohet së bashku nga të gjithë, për jetë e mot.
