Tragjike në Fushë Kosovë: Gjendet pa shenja jete 51-vjeçari në banesën e tij, fqinjët alarmuan autoritetet pas erës së rëndë
Një ngjarje e rëndë është regjistruar gjatë ditës së sotme në Fushë Kosovë, ku një burrë 51-vjeçar është gjetur pa shenja jete brenda banesës së tij, pasi fqinjët kishin njoftuar autoritetet për një erë të rëndë që vinte nga objekti.
Sipas informacioneve të para, rasti ka ndodhur rreth orës 12:00, në rrugën “Pajazit Islami”, në kompleksin banesor “Mendi”. Shqetësimi i banorëve për erën e pazakontë bëri që ata të lajmëronin menjëherë Policinë e Kosovës.
Pas pranimit të njoftimit, njësitet policore kanë dalë në vendin e ngjarjes. Me autorizim të prokurorit kujdestar dhe me ndihmën e mirëmbajtësit të objektit, është bërë hapja e banesës, ku brenda është gjetur pa shenja jete Mustafë Rama, 51 vjeç.
Në vendngjarje kanë intervenuar edhe ekipet e Emergjencës, të cilat kanë konstatuar vdekjen e 51-vjeçarit. Më pas, njësitet hetimore kanë kryer ekzaminimet e nevojshme për dokumentimin e rastit.
Me urdhër të Prokurorit për Krime të Rënda, rasti është iniciuar si “Hetim mbi vdekje”, ndërsa trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore, ku do t’i nënshtrohet autopsisë dhe ekzaminimeve për të përcaktuar shkakun e saktë të vdekjes.
Deri më tani, autoritetet nuk kanë bërë të ditur nëse dyshohet për ndonjë rrethanë kriminale, ndërsa hetimet janë duke vazhduar për zbardhjen e plotë të rastit.
