Qytetari pretendon se u gjobit me 600 euro nga policia serbe për fotografi me emblemën e UÇK-së
Një qytetar ka pretenduar se është ndaluar dhe gjobitur nga policia serbe gjatë kalimit në një pikë kufitare mes Kosovës dhe Serbisë, për shkak të fotografive me emblemën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) që kishte në telefonin e tij.
Duke folur në emisionin “Fol me Ari” në Klan Kosova FM, ai rrëfeu se gjatë kontrollit kufitar, autoritetet serbe i kanë marrë telefonin dhe kanë kontrolluar përmbajtjen e tij, përfshirë fotografitë e ruajtura.
Sipas pretendimit të tij, pas kontrollit është gjobitur me 600 euro, ndërsa arsyeja e ndëshkimit kanë qenë fotografitë me emblemën e UÇK-së.
Qytetari tha se, sipas informacioneve që ai posedon, nuk bëhet fjalë për një rast të izoluar. Ai pretendon se edhe persona të tjerë janë përballur me masa të ngjashme gjatë kalimit nëpër pikat kufitare me Serbinë.
Madje, sipas deklaratës së tij, në disa raste gjobat kanë qenë edhe më të larta, duke pretenduar se kanë arritur deri në 4 mijë euro, varësisht nga përmbajtja që është gjetur në telefonat e personave të kontrolluar.
Ai gjithashtu ka bërë të ditur se ka dërguar edhe fotografitë për të cilat pretendon se është ndëshkuar nga autoritetet serbe.
Deklaratat e tij kanë nxitur reagime dhe diskutime në rrjetet sociale. Deri më tani, nuk ka pasur një reagim zyrtar nga autoritetet serbe lidhur me këto pretendime.
