E rëndë në Graçanicë: 53-vjeçari dyshohet se ngacmoi seksualisht shitësen e një marketi
Një rast i dyshuar i ngacmimit seksual është raportuar në fshatin Batushë të Graçanicës, ku një burrë 53-vjeçar dyshohet se ka ngacmuar një shitëse në një market lokal.
Sipas informacioneve të raportuara, i dyshuari fillimisht kishte hyrë në market për të bërë blerje, ndërsa pak minuta më vonë ishte kthyer sërish, duke kërkuar një cigare dhe një shkrepëse.
Bazuar në kallëzimin e viktimës, një grua 52-vjeçare, situata ka eskaluar kur ajo është ndier e shqetësuar nga sjellja e tij dhe ka tentuar të largohej. Ajo ka deklaruar se i dyshuari e ka ndjekur, e ka kapur fillimisht për krahu dhe më pas dyshohet se e ka prekur në mënyrë të papërshtatshme në gjoks.
Për t’i shpëtuar situatës, gruaja ka deklaruar se e ka goditur me këmbë të dyshuarin dhe ka arritur të largohet nga marketi, duke kërkuar ndihmë. Pas incidentit, ajo ka marrë trajtim mjekësor.
Nga ana tjetër, gjatë intervistimit në prani të avokatit mbrojtës, 53-vjeçari i ka mohuar akuzat, duke deklaruar se kishte hyrë në market vetëm për të blerë produkte dhe se nuk kishte kryer asnjë veprim të papërshtatshëm ndaj shitëses.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, rasti është iniciuar për veprën penale “Ngacmim seksual”, ndërsa hetimet janë duke vazhduar për të sqaruar plotësisht rrethanat e ngjarjes.
Shënim: Personi i përmendur në këtë lajm prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
