Një ngjarje prekëse dhe tragjike ka ndodhur në plazhet e Otrantos, në jug të Italisë, ku një baba humbi jetën vetëm pak çaste pasi arriti t’u shpëtojë jetën dy fëmijëve të tij.
Viktima është identifikuar si Gennaro Cagnazzo, 54 vjeç, nga zona e Leçes, i cili u hodh në det për të shpëtuar dy fëmijët e tij binjakë, vetëm 8 vjeç, pasi ata u morën nga rrymat e forta detare.
Sipas mediave italiane, ngjarja ndodhi paraditen e së shtunës, rreth orës 11:30. Edhe pse kushtet në det ishin të rrezikshme për shkak të erës së fortë dhe dallgëve, disa pushues ndodheshin në ujë, mes tyre edhe dy fëmijët, të cilët u larguan me shpejtësi nga bregu.
Sapo dëgjoi thirrjet për ndihmë, babai u fut menjëherë në det pa hezitim. Pas një përpjekjeje të vështirë, ai arriti t’i nxirrte të dy fëmijët shëndoshë e mirë në breg, duke u shpëtuar jetën.
Megjithatë, vetëm pak çaste pasi doli nga uji, 54-vjeçari u ndje keq dhe u rrëzua në rërë. Pushuesit dhe më pas ekipet e emergjencës u përpoqën ta rikthenin në jetë, por fatkeqësisht përpjekjet rezultuan të pasuksesshme.
Sipas dyshimeve të para të autoriteteve, ai mund të ketë pësuar një arrest kardiak ose një problem tjetër serioz shëndetësor, i shkaktuar nga lodhja e madhe fizike gjatë operacionit të shpëtimit.
Ngjarja ka prekur thellë opinionin publik në Itali, ndërsa shumë qytetarë e kanë cilësuar Gennaro Cagnazzo si një hero, i cili sakrifikoi jetën për të shpëtuar fëmijët e tij.
Autoritetet italiane kanë nisur procedurat për të dokumentuar plotësisht rrethanat e kësaj tragjedie, ndërsa familja dhe të afërmit po përballen me një humbje të rëndë. Ngushëllime familjes së viktimës.
