Tuesday, July 28, 2026
HomeBoteHorror brenda shtëpisë. 16 fëmijë dyshohet se u mbajtën të izoluar nga...

Horror brenda shtëpisë. 16 fëmijë dyshohet se u mbajtën të izoluar nga prindërit për vite me radhë

Një nga rastet më tronditëse të neglizhencës ndaj fëmijëve në Shtetet e Bashkuara është zbuluar në shtetin e Ohajos, ku autoritetet gjetën 16 fëmijë që jetonin në kushte ekstreme izolimi dhe papastërtie brenda një banese. Rasti ka shkaktuar reagime të forta në opinionin publik dhe ka ngritur pikëpyetje se si një situatë e tillë mund të mbetej e pazbuluar për vite me radhë.  

Sipas autoriteteve amerikane, fëmijët, të moshës nga 18 muaj deri në 18 vjeç, u gjetën në një shtëpi në fshatin Hamden, në Ohio, gjatë një kontrolli policor që fillimisht nuk kishte lidhje me këtë rast. Hetuesit thanë se nuk prisnin të përballeshin me një skenë kaq të rëndë.  

Sipas hetimeve paraprake, shumica e fëmijëve kalonin pjesën më të madhe të kohës të mbyllur në një dhomë të vogël, me përmasa rreth 3.5 metra me 3.5 metra. Ambienti ishte i mbushur me mbeturina, papastërti dhe mbetje njerëzore, ndërsa kushtet higjienike u cilësuan si tepër të rënda.  

Autoritetet deklaruan se disa prej fëmijëve kishin vështirësi në komunikim, ndërsa më i madhi, 18 vjeç, i cili kishte vonesa në zhvillim, nuk ishte në gjendje të shkruante as emrin e tij. Hetuesit dyshojnë se izolimi i zgjatur dhe mungesa e kontaktit me botën e jashtme kanë ndikuar rëndë në zhvillimin e tyre fizik dhe mendor.  

Shtatë prej fëmijëve u dërguan menjëherë në spital për ekzaminime dhe trajtim mjekësor. Dy prej tyre u transportuan me helikopter drejt qendrave të specializuara, ndërsa autoritetet thanë se të paktën një fëmijë ndodhej në gjendje kritike në momentin e shpëtimit.  

Pas zbulimit të rastit, policia arrestoi katër persona, prindërit dhe gjyshërit e fëmijëve. Ata përballen me akuza të shumta për rrezikim të fëmijëve, ndërsa në gjykatë janë deklaruar të pafajshëm. Hetimet vazhdojnë për të përcaktuar të gjitha rrethanat dhe përgjegjësitë ligjore.  

Prokurorët kanë bërë të ditur se ky nuk konsiderohet një rast trafikimi njerëzor, por një çështje që lidhet me familjen. Sipas autoriteteve, fëmijët nuk ishin të regjistruar në shkollë dhe nuk rezultonin me dokumentacion të rregullt mjekësor, gjë që dyshohet se ka bërë të mundur që rasti të mos zbulohej për një kohë të gjatë.  

Banorët e zonës kanë deklaruar se nuk kishin dijeni se në atë banesë jetonin 16 fëmijë. Shumë prej tyre janë shprehur të tronditur nga zbulimi, duke thënë se nuk kishin parë pothuajse asnjëherë fëmijë duke dalë nga shtëpia.  

Fëmijët ndodhen tashmë nën kujdesin e shërbimeve sociale të shtetit të Ohajos, ku po marrin ndihmë mjekësore, psikologjike dhe mbështetje të specializuar. Autoritetet kanë theksuar se prioriteti kryesor është rikuperimi i tyre dhe garantimi i një mjedisi të sigurt për të ardhmen.  

Rasti ka rikthyer debatin në SHBA mbi mbrojtjen e fëmijëve dhe nevojën për mekanizma më efikasë që mund të identifikojnë në kohë raste të ngjashme të izolimit dhe neglizhencës ekstreme. Hetimet mbeten në vazhdim dhe pritet që në ditët në vijim të publikohen detaje të reja.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments