VIDEO: Gruaja me thikë sulmon policët – Neutralizohet me armë zjarri pas kërcënimeve
Një incident i rëndë është regjistruar në shtetin e Floridës, në Shtetet e Bashkuara, ku një grua u qëllua nga policia pasi dyshohet se refuzoi të hidhte thikën që mbante në dorë dhe kërcënoi efektivët gjatë ndërhyrjes.
Sipas raportimeve të mediave amerikane, policët kishin tentuar disa herë ta bindnin gruan të dorëzonte armën e ftohtë, duke i dhënë urdhra të përsëritur që të ndalonte dhe të hidhte thikën.
Megjithatë, ajo nuk iu bind urdhrave të zyrtarëve policorë. Sipas autoriteteve, në një moment gruaja u ka bërtitur efektivëve: “Do t’ju vras”, ndërsa vazhdoi të përbënte një kërcënim të menjëhershëm.
Në këto rrethana, policët përdorën armën e zjarrit për ta neutralizuar. Autoritetet kanë bërë të ditur se ndërhyrja erdhi pasi situata u vlerësua si rrezik serioz për jetën e efektivëve.
Pamjet e incidentit, të publikuara në media dhe në rrjetet sociale, tregojnë momentet e tensionit mes gruas dhe policëve pak sekonda para se të dëgjohen të shtënat.
Rasti është marrë në hetim nga autoritetet kompetente, të cilat pritet të shqyrtojnë të gjitha rrethanat e ngjarjes, përfshirë edhe përdorimin e forcës nga policia, sipas procedurave standarde që zbatohen në raste të tilla në SHBA.
