Gjendet një raketë e NATO-s në Prishtinë – Dyshohet se vlera e saj arrin rreth 200 mijë euro
Një mjet shpërthyes që dyshohet se është raketë e përdorur nga NATO gjatë luftës në Kosovë është gjetur në zonën e Prishtinës së Re, duke bërë që në vendngjarje të angazhohen menjëherë njësitë kompetente të sigurisë.
Sipas raportimeve, ekipet e KFOR-it finlandez, Policisë së Kosovës dhe Njësitit për Deminim të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) kanë qëndruar në vendngjarje që nga mbrëmja e kaluar, pasi gjatë disa gërmimeve u dyshua për praninë e një mjeti shpërthyes.
Gazetarja e Klan Kosovës, Altiana Zogaj, bëri të ditur se pak më herët është realizuar me sukses tërheqja e mjetit, i cili dyshohet të jetë një raketë e NATO-s e përdorur gjatë fushatës ajrore në luftën e fundit në Kosovë.
Sipas informacioneve të publikuara, raketa vlerësohet të ketë një vlerë prej rreth 200 mijë eurosh dhe dyshohet se është përdorur për goditjen e sistemeve të mbrojtjes ajrore dhe antenave gjatë operacioneve ushtarake.
Autoritetet kompetente kanë siguruar zonën dhe kanë larguar mjetin në mënyrë të kontrolluar, ndërsa pritet që pas ekzaminimeve të publikohen detaje shtesë lidhur me origjinën dhe karakteristikat e tij.
Fatmirësisht, nga ky rast nuk raportohet për persona të lënduar, ndërsa hetimet dhe verifikimet teknike janë duke vazhduar.
