Alarm në Kosovë: Fëmija 9-vjeçar, rasti më i ri i raportuar me përdorim droge
Përdorimi i substancave narkotike te të miturit vazhdon të mbetet një shqetësim serioz në Kosovë, ndërsa një fëmijë vetëm 9-vjeçar është raportuar si rasti më i ri i njohur i përfshirjes në përdorimin e drogës.
Sipas drejtuesit të Qendrës Specialistike Psikiatrike “Labyrinth”, Safet Blaka, marihuana vazhdon të jetë substanca më e përdorur, ndërsa grupmoshat 14 deri në 17 vjeç mbeten më të rrezikuarat për fillimin e përdorimit të drogës.
Dhjetëra raste në Klinikën e Psikiatrisë
Drejtori i Klinikës së Psikiatrisë, Faton Kutllovci, ka bërë të ditur se deri tani gjatë vitit 2026, 90 persona kanë marrë trajtim spitalor për probleme që lidhen me varësinë nga drogat, me rreth 760 ditë trajtimi.
Sipas tij, mungesa e informimit, presioni shoqëror dhe dëshira për t’u pranuar nga bashkëmoshatarët janë ndër faktorët kryesorë që ndikojnë në përdorimin e substancave narkotike nga të rinjtë.
Policia: 59 raste pranë shkollave
Policia e Kosovës ka njoftuar se në kuadër të planit operativ “Stop Drogave në Shkolla 2026” janë evidentuar 59 raste, prej tyre 16 për trafikim dhe 43 për posedim të substancave narkotike.
Gjatë aksioneve janë identifikuar 74 persona, ndërsa janë sekuestruar mbi 2.3 kilogramë marihuanë, 147 gramë kokainë, 25 gramë ekstazi dhe sasi të tjera të substancave narkotike.
Ekspertët theksojnë se luftimi i këtij fenomeni kërkon bashkëpunim të vazhdueshëm mes institucioneve, shkollave, prindërve dhe profesionistëve të shëndetit mendor, me qëllim parandalimin e përfshirjes së fëmijëve dhe të rinjve në përdorimin e drogës.
